Hezbollahu vret një e plagos tre ushtarë izraelitë përmes një sulmi me dron në Liban - NACIONALE

Hezbollahu vret një e plagos tre ushtarë izraelitë përmes një sulmi me dron në Liban

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Një ushtar izraelit u vra dhe tre të tjerë u plagosën nga një sulm i Hezbollahut me dron në pjesën jugore të Libanit të hënën herët në mëngjes, njoftoi ushtria izraelite, një ditë pasi forcat e saj e morën nën kontroll kalanë historike Beaufort dhe vargmalin strategjik përreth saj.

Ky është ushtari i dytë izraelit që vritet në dy ditët e fundit, në kohën kur Izraeli njoftoi se do t’i përtërijë sulmet ajrore të shkallës së lartë ndaj periferisë jugore të Bejrutit, pasi i kishte kufizuar ato për disa javë, me kërkesën e Shteteve të Bashkuara.

Ushtari i vrarë u identifikua si Adam Tzarfati, 20 vjeç, nga njësiti Maglan i Brigadës Komando, shkruan gazeta “The Times of Israel”.

Rreth orës 1 pas mesnatës, një dron i ngarkuar me lëndë shpërthyese, i lëshuar nga Hezbollahu, goditi një zonë në qytezën jugore libaneze, Yohmor, afër kalasë Beaufort, ku ishin duke operuar trupat izraelite.

Nga shpërthimi u vra Tzarfati dhe u lëndua seriozisht një ushtar tjetër. Dy ushtarë të tjerë pësuan lëndime të lehta, tha ushtria izraelite.

Ushtarët e plagosur u dërguan përmes helikopterit në një spital dhe familjet e tyre u njoftuan për rastin, thanë Forcat Mbrojtëse të Izraelit.

Trembëdhjetë ushtarë izraelitë dhe një kontraktor civil i Ministrisë së Mbrojtjes janë vrarë nga sulmet e Hezbollahut në jug të Libanit gjatë armëpushimit që nisi më 16 prill. Ushtria izraelite thotë se gjatë kësaj periudhe ka vrarë më shumë se 900 operativë të Hezbollahut.

Lajme të ngjashme