Hezbollahu thotë se do ta vazhdojë luftën kundër Izraelit - NACIONALE

Hezbollahu thotë se do ta vazhdojë luftën kundër Izraelit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Nënsekretari i përgjithshëm i Hezbollahut, Naim Qassem, është zotuar se grupi i tij do ta vazhdojë luftën kundër Izraelit dhe “fitorja do të jetë e jona”.

Përmes një video-adresimi, ai pretendoi se Izraeli është duke kryer masakra të civilëve në Liban me përkrahjen e plotë të Shteteve të Bashkuara, se Hezbollahu “e do martirizimin” dhe se çfarëdo organizate tjetër do të kolapsonte përballë sulmeve nga Izraeli, por Hezbollahu nuk ra, raporton gazeta “The Guardian”.

“Izraeli është duke kryer krime dhe masakra në secilën pjesë të Libanit. Izraeli ka zgjedhur fshatra, qyteza e shtëpi në veçanti dhe secila shtëpi i ka shenjat e agresionit izraelit. Izraeli i sulmon civilët, mjekët. Izraeli e sulmon secilin që ec rrugës dhe secilin që qëndron në shtëpinë e vet. Ata nuk janë luftëtarë. Forcat izraelite po vrasin, po kryejnë masakra dhe krime kundër civilëve” – tha Qassemi.

Më pas, ai i fajësoi Shtetet e Bashkuara për mbështetjen ushtarake që ia ofrojnë Izraelit.

“Administrata e ShBA-së po e mbështet Izraelin me të gjitha mjetet dhe Amerika është partnere me Izraelin në gjithçka, përmes përkrahjes së pakufizuar ushtarake, të gjitha llojeve të mbështetjes, kulturalisht, politikisht, ekonomikisht. E nëse Izraeli mendon që vendosmëria të jetë brutale dhe t’i vazhdojë agresionet, atëherë Izraeli mashtrohet. Dhimbjet janë aty, sakrifica është aty, por secili duhet të dijë se ne e duam martirizimin” – shtoi nënsekretari i përgjithshëm i Hezbollahut.

Tutje, Qassemi u zotua se Hezbollahu do t’i vazhdojë luftimet. “Ne jemi të gjithë në terren, pavarësisht nga humbja e disa udhëheqësve dhe Hassan Nasrallahut si cak kryesor dhe pavarësisht nga sulmet agresive kundër të gjithë civilëve në Liban, pavarësisht nga sakrificat dhe veprimet që kanë për qëllim që të shkaktojnë kaos në frontin tonë. Ne do të qëndrojmë atje. Ne do të të jemi të palëkundur. Ne do ta vazhdojmë rezistencën islamike. Ne do të vazhdojmë që të ballafaqohemi me armikun izraelit në mbështetje të Palestinës dhe Gazës dhe në mbrojtje të popullit tonë libanez” – tha ai.

Lajme të ngjashme