Hezbollahu thotë se do ta eskalojë luftën me Izraelin pas vrasjes së Sinwarit
Hezbollahu, grup libanez i mbështetur nga Irani, tha të premten se do të kalojë në një fazë të re dhe eskaluese të luftës së tij kundër Izraelit, ndërsa Teherani tha se “shpirti i rezistencës do të forcohet” pas vrasjes së kreut të Hamasit, Yahya Sinwar.
Sinwari, i cilësuar si organizator i sulmit të 7 tetorit të vitit të kaluar në Izrael, që e nxiti luftën në Gaza, u vra gjatë një operacioni të ushtarëve izraelitë në enklavën palestineze të mërkurën, moment kyç në konfliktin 1-vjeçar, raporton agjencia “Reuters”.
Udhëheqësit perëndimorë thanë se vdekja e tij ofron një mundësi për përfundimin e luftës, por kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se lufta do të vazhdojë derisa të kthehen në shtëpi pengjet që po mbahen nga militantët e Hamasit.
“Sot ne e kemi zgjidhur rezultatin. Sot e keqja ka marrë një goditje, por detyra jonë nuk është kompletuar ende” – tha Netanyahu në një video pas konfirmimit të vdekjes së kreut të Hamasit të enjten.
“Familjeve të dashura të pengjeve u them: Ky është një moment i rëndësishëm në luftë. Ne do të vazhdojmë me forcë të plotë derisa të dashurit tuaj, të dashurit tonë, të jenë në shtëpi” – shtoi ai.
Sinwari, që ishte emëruar udhëheqës i përgjithshëm i Hamasit pas vrasjes së kreut politik të grupit, Ismail Haniyeh, në Teheran në korrik, besohej se po fshihej në rrjetin e gjerë të tuneleve nëntokësore që Hamasi i ka ndërtuar në Gaza gjatë dy dekadave të fundit.
Ai u vra gjatë një beteje me armë në jug të Gazës të mërkurën nga trupat izraelite, të cilat fillimisht nuk ishin të vetëdijshme se e kishin kapur armikun numër një të vendit të tyre, thanë zyrtarët izraelitë.
Ushtria publikoi një video me dron të atij që tha se ishte Sinwari, i ulur në një karrige dhe i mbuluar me pluhur brenda një ndërtese të shkatërruar.
Hamasi nuk ka bërë ndonjë koment vetë, por burime brenda grupit kanë thënë se shenjat që i kanë parë lënë të kuptohet se Sinwari vërtet ishte vrarë nga trupat izraelite./Nacionale