Hetimi fillestar: Ara me misër në Poloni u dogj nga një dron ushtarak - NACIONALE

Hetimi fillestar: Ara me misër në Poloni u dogj nga një dron ushtarak

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një objekt që goditi dhe dogji një arë me misër në pjesën lindore të Polonisë ishte dron ushtarak, sipas rezultateve preliminare të një hetimi, thanë të mërkurën prokurorët polakë.

Polonia ka qenë në gjendje të lartë vigjilence për objekte që hyjnë në hapësirën e saj ajrore që nga viti 2022, kur një raketë ukrainase kishte rënë gabimisht në një fshat polak, duke lënë të vrarë dy njerëz, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Ekzaminimi i shpërthimit tregon që... objekti sipas shumicës së gjasave është dron ushtarak” – tha prokurori rajonal në Lublin, Grzegorz Trusiewicz, para gazetarëve. Ai tha se droni ndoshta ishte dëmtuar nga lënda shpërthyese.

Policia kishte njoftuar më herët se një objekt i paidentifikuar kishte rënë në një fushë në fshatin Osiny në provincën lindore Lublin, pak më shumë se 100 kilometra larg kufirit me Ukrainën dhe rreth 90 kilometra larg Bjellorusisë.

Agjencia shtetërore e lajmeve, PAP, citoi një person të afërt me Ministrinë e Mbrojtjes të ketë thënë se droni nuk kishte kokë luftarake, por përmbante vetëm një sasi të vogël të lëndës shpërthyese dhe sipas shumicës së gjasave ishte dron mashtrues.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes i Polonisë, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz, tha se ky incident ka elemente ngjashmërie me rastet kur dronët rusë kishin hyrë në hapësirat ajrore të Lituanisë dhe Rumanisë dhe se kjo mund të jetë e lidhur me përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Lajme të ngjashme