Herzog: Izraeli i gatshëm për armëpushim në këmbim të pengjeve - NACIONALE

Herzog: Izraeli i gatshëm për armëpushim në këmbim të pengjeve

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, u tha të martën ambasadorëve të 80 vendeve se shteti i tij është i përgatitur për një ndërprerje tjetër të luftimeve në këmbim të lirimit të më shumë pengjeve nga militantët palestinezë në Gaza.

Përmes një armëpushimi 7-ditor muajin e kaluar u sigurua lirimi i rreth 105 pengjeve, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Herzogu i njoftoi diplomatët për luftën në Gaza, duke e vënë theksin te përpjekjet humanitare të Izraelit, tha zyra e tij, duke u bërë thirrje organizatave ndërkombëtare që të bëjnë më shumë për lehtësimin e shpërndarjes së asistencës në Gaza.

“Sasia e ndihmës humanitare mund të trefishohet menjëherë”- pretendoi ai, duke pohuar se Izraeli ka inspektuar qindra kamionë në pikëkalimin në Nitzana për çdo ditë, por se agjencitë e OKB-së dhe partnerë të tjerë në terren kanë dështuar që ta mbajnë lart nivelin, duke rezultuar në hyrjen e vetëm 125 kamionëve ose diçka më shumë në ditë.

Kombet e Bashkuara e kanë kundërshtuar këtë pretendim, duke thënë se bombardimet e Izraelit e kanë bërë shumë të vështirë shpërndarjen e sigurt të ndihmave.

“Mund ta trefishoni sasinë e kamionëve lehtësisht, nëse vetëm do të kishte një përpjekje nga Kombet e Bashkuara dhe partnerët e tyre. Bota duhet të dijë se keni pasur dhjetëra mijëra tonë në ditë më shumë [ndihma] duke hyrë në Gaza”- shtoi presidenti izraelit.

“Ai theksoi se Izraeli nuk është në luftë me popullin palestinez, por është duke luftuar kundër armikut të vet, organizatës terroriste, Hamas”- thuhet në njoftimin e presidencës izraelite.

“Mund ta përsëris faktin që Izraeli është i gatshëm për një pauzë tjetër humanitare dhe ndihmë humanitare shtesë me qëllim që ta mundësojë lirimin e pengjeve dhe përgjegjësia bie plotësisht mbi Sinwar-in dhe udhëheqësinë e Hamasit”- u tha Herzogu ambasadorëve.

Lajme të ngjashme