Hegseth: Armëpushimi me Iranin s’ka përfunduar, ShBA-ja nuk po kërkon luftime - NACIONALE

Hegseth: Armëpushimi me Iranin s’ka përfunduar, ShBA-ja nuk po kërkon luftime

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Pete Hegseth, tha të martën në një konferencë për gazetarë në Pentagon se armëpushimi mes vendit të tij dhe Iranit nuk ka marrë fund, një ditë pasi Irani hodhi raketa e dronë drejt Emirateve të Bashkuara e Omanit.

Më herët, një burim izraelit i tha televizionit CNN se Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara janë duke i bashkërenduar përgatitjet për një valë të re sulmesh për ta detyruar Iranin që ta zbusë pozicionin e vet në bisedime, shkruan gazeta “The Times of Israel”.

“Qëllimi do të ishte që të zhvillohet një fushatë e shkurtër [sulmesh] me qëllim të bërjes së presionit ndaj Iranit drejt koncesioneve të mëtejme në bisedime” – tha ky burim, duke shtuar se në shënjestër të sulmeve do të ishin infrastruktura energjetike dhe zyrtarë të lartë iranianë.

Duke folur për nismën amerikane për t’i ndihmuar anijet tregtare për ta kaluar Ngushticën e Hormuzit, e cila po mbahet e bllokuar nga Irani, sekretari Hegseth tha se “forcat amerikane nuk do të kenë nevojë për të hyrë në ujërat iraniane ose hapësirën ajrore të Iranit”.

“Ne nuk po kërkojmë luftime” – theksoi ai, duke shtuar se “do të parapëlqenim që ky të jetë një operacion paqësor, por ne jemi të përgatitur plotësisht për t’i mbrojtur njerëzit tanë, anijet tona, aeroplanët tanë dhe këtë mision pa ngurrim”.

Hegsethi gjithashtu tha se Uashingtoni planifikon që “t’ia dorëzojë botës” përpjekjen për ta siguruar Ngushticën e Hormuzit.

Ndërkohë, kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, i bëri thirrje Iranit që “të kthehet në tavolinën e bisedimeve dhe të ndalojë së mbajturi peng rajonin dhe botën”, duke u dhënë jehonë thirrjeve të ngjashme nga presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kryeministri britanik, Keir Starmer./Nacionale

Lajme të ngjashme