Harrisi i quan “propozime për dorëzim” planet e Trumpit për luftën në Ukrainë - NACIONALE

Harrisi i quan “propozime për dorëzim” planet e Trumpit për luftën në Ukrainë

1 javë më parë

nga NACIONALE

Kandidatja demokrate për presidente të Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris, tërthorazi i ka quajtur “propozime për dorëzim” planet e rivalit republikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës, përderisa presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e vizitoi Uashingtonin për ta paraqitur atë që e quan “plani i fitores”.

Duke iu drejtuar Zelenskyt në Shtëpinë e Bardhë, zonja Harris tha se “disa në vendin tim” do t’i bënin presion Ukrainës për të pranuar një marrëveshje të paqes në të cilën ajo do t’i dorëzonte sovranitetin territorial dhe neutralitetin me qëllim që të bëjë paqe me presidentin rus, Vladimir Putin, raporton gazeta “The Guardian”.

Përderisa Harrisi nuk i përmendi me emër Trumpin ose kandidatin e tij për nënpresident, JD Vance, këto shprehje për paqe ngjajnë shumë me ato që janë paraqitur nga i nominuari republikan për nënpresident në një intervistë të realizuar më herët këtë muaj.

Zelensky e ka cilësuar publikisht Vance-n si “shumë radikal” pas komenteve të tij, duke nxitur një konflikt me aleatët e Trumpit që ka kulmuar me akuza për ndërhyrje në zgjedhje dhe me thirrje të republikanëve që Ukraina ta shkarkojë ambasadorin e vet në Uashington.

Në atë që dukej si ndryshim i planit të enjten vonë, Trumpi iu tha gazetarëve se do ta takonte Zelenskyn në Kullën Trump të premten në mëngjes.

Gjatë një konference për gazetarë, ai i hodhi poshtë kritikat e Harrisit dhe këmbënguli se vetëm dëshiron që ta ndalë “shfaqjen horror që ka vazhduar” [luftën në Ukrainë].

Kur u pyet nëse Ukraina duhet të dorëzojë territor, Trumpi nuk u përgjigj drejtpërdrejt, duke thënë: “Le të sigurojmë ca paqe... Na duhet paqja. Duhet t’i ndalim vdekjen dhe shkatërrimin.”

Komentet e zonjës Harris erdhën pas takimit të Zelenskyt me homologun amerikan, Joe Biden, në Shtëpinë e Bardhë për prezantimin formal të propozimit ukrainas, për të cilin Zelensky tha se mund t’i japë fund luftës me Rusinë me ndihmë amerikane shtesë./Nacionale

Lajme të ngjashme