Harrisi i mbron Bidenin dhe ndryshimin e qëndrimeve të saj gjatë intervistës në CNN - NACIONALE

Harrisi i mbron Bidenin dhe ndryshimin e qëndrimeve të saj gjatë intervistës në CNN

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Nënpresidentja e Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris, i mbrojti ndryshimet e qëndrimeve të veta rreth politikave, presidentin Joe Biden dhe kohën e saj në Shtëpinë e Bardhë gjatë intervistës së parë që nga koha kur u bë e nominuar e Partisë Demokratike për presidente.

Zonja Harris argumentoi se administrata e Bidenit ka qenë në gjendje që t’i zvogëlojë kalimet e paligjshme të kufirit muajve të fundit dhe “ta rimëkëmbë ekonominë” pas pandemisë, raporton televizioni BBC.

Ajo i quajti “sukses” politikat e Shtëpisë së Bardhë, duke i përmendur posaçërisht rënien e kostos së ilaçeve me përshkrim të mjekut dhe uljen e shkallës së papunësisë. “Kjo është punë e mirë. Ka më shumë për të bërë” – tha demokratja.

Ajo u paraqit në intervistë me kandidatin për nënpresident, guvernatorin e Minesotës, Tim Walz. Kjo ishte intervista e saj e parë si kandidate për presidente.

Nënpresidentja u detyrua që ta mbronte politikën ekonomike të Shtëpisë së Bardhë, përderisa inflacioni dhe çmimet e larta të jetesës vazhdojnë që t’i cenojnë xhepat e amerikanëve. Sipas anketave, më shumë votues e parapëlqejnë pikëpamjen e republikanit Donald Trump sa i përket ekonomisë.

Megjithatë, komunikimi më i tensionuar mes Harrisit dhe gazetares që e realizoi intervistën, Dana Bash, ishte rreth pohimit se pozicionet politike të kandidates demokrate i ishin nënshtruar “ndryshimeve” gjatë mandatit të saj si nënpresidente dhe si kandidate për presidente.

“Mendoj se aspekti më i rëndësishëm dhe më domethënës i perspektivës dhe vendimeve të mia politike është që vlerat e mia nuk kanë ndryshuar”- tha ajo, pasi u pyet pse pozicionet e saj kishin ndryshuar viteve të fundit.

Trumpi tashmë e kishte nënvlerësuar intervistën e Harrisit, e cila zgjati 27 minuta, para se të publikohej, sepse ajo ishte e incizuar paraprakisht dhe në të përfshihej kandidati për nënpresident. Republikani përdori vetëm një fjalë në rrjetin social “Truth Social”, “e mërzitshme”.

Lajme të ngjashme