Harrisi bën thirrje për përfundim të luftës në Gaza e kundër ripushtimit izraelit
Kandidatja demokrate për presidente të Shteteve të Bashkuara, Kamala Hrris, të martën bëri thirrje për përfundimin e luftës mes Izraelit e Hamasit në Gaza dhe tha se Izraeli nuk duhet ta ripushtojë enklavën palestineze pas përfundimit të konfliktit gati 1-vjeçar.
Duke folur në Filadelfia para gazetarëve, ajo bëri thirrje për armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit, për zgjidhje me dy shtete dhe për stabilitet në Lindje të Mesme në një mënyrë që nuk e fuqizon Iranin, raporton agjencia “Reuters”.
“Ne e kemi bërë veten shumë të qartë që kjo marrëveshje duhet të kryhet në interesin më të mirë të secilit në rajon” – tha nënpresidentja amerikane si përgjigje ndaj pyetjeve të tre gazetarëve.
Intervista 45-minutëshe nisi me çështje ekonomike. Zonja Harris tha se nëse zgjidhet presidente, ajo do të punojë me investitorë privatë për ta fuqizuar ofrimin e strehimit, duke pranuar se nevojitet më shumë punë për t’i ulur çmimet për amerikanët.
Edhe Harrisi, edhe republikani Donald Trump kanë bërë përpjekje që të fitojnë përkrahje nga votuesit me ngjyrë, mbështetja e të cilëve mund të jetë vendimtare në zgjedhjet e 5 nëntorit, sidomos në disa shtete kyçe të garës si Georgia dhe Pensilvania.
“Votuesit me ngjyrë janë si secili grup tjetër votues. Duhet ta fitoni votën e tyre” – tha kandidatja demokrate.
Megjithatë, disa votues me ngjyrë po e humbin besimin në Partinë Demokratike. Më shumë se çereku i të rinjve me ngjyrë kanë thënë se do ta përkrahin Trumpin në këto zgjedhje, sipas një sondazhi nga NAACP.