Hamasi thotë se sprapsi një operacion të Izraelit për shpëtim, vritet një peng
Njëri nga pengjet izraelite që po mbahej nga militantët në Rripin e Gazës, Sahar Baruch, 25 vjeç, është vrarë në këtë enklavë, thuhet në një deklaratë të familjes dhe të zyrtarëve të komunitetit ku ajo banonte.
“Ne do ta kërkojmë kthimin e trupit të tij si pjesë e çfarëdo marrëveshjeje për lirimin e pengjeve. Ne nuk do të ndalemi derisa të gjithë të jenë në shtëpi”- thuhet në deklaratë, raporton televizioni BBC.
Ky njoftim erdhi pas publikimit të një videoje të premten nga krahu ushtarak i Hamasit në të cilën grupi tha se shfaqen pasojat e përgjakshme të një operacioni të dështuar izraelit për lirimin e një pengu.
Në videon që nuk është vërtetuar nga BBC-ja duket se shfaqet një burrë duke folur para disa javëve. Gjaku shihet në dysheme, si dhe disa pajisje ushtarake, të cilat Hamasi pretendoi se i kishte kapur.
Izraeli tha se dy ushtarë të tij u plagosën seriozisht gjatë një përpjekjeje për ta shpëtuar njërin nga pengjet që po mbahen ende në Gaza. Një zëdhënës i ushtrisë izraelite tha se asnjë peng nuk ishte gjetur, por se disa anëtarë të armatosur të Hamasit ishin vrarë.
Nuk qe e qartë nëse ai po fliste për incidentin e njëjtë të përshkruar në videon e publikuar nga Hamasi, ndërsa në deklaratën për vdekjen e pengut Baruch nuk u dhanë hollësi.