Hamasi thotë se Netanyahu “po e përgatit atmosferën” për t’iu rikthyer luftës në Gaza - NACIONALE

Hamasi thotë se Netanyahu “po e përgatit atmosferën” për t’iu rikthyer luftës në Gaza

1 vit më parë

nga NACIONALE

Zyrtari i Hamasit, Basem Naim, ka folur rreth marrëveshjes së armëpushimit që gjithnjë e më shumë po duket sikur do të dështojë.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka shtyrë lirimin e 620 të burgosurve palestinezë për afat të pacaktuar, duke kërkuar nga Hamasi që ta ndërpresë atë që e ka quajtur “shfrytëzim cinik të pengjeve për propagandë”, raporton gazeta “The Guardian”.

Naim, anëtar i byrosë politike të Hamasit, tha se kryeministri izraelit “qëllimisht po e saboton” marrëveshjen e armëpushimit.

“Para se të shkojmë te hapi i radhës, ne duhet të jemi të sigurt se hapi i kaluar, që ishte lirimi i 620 të burgosurve, tashmë janë liruar” – tha ai në televizionin “Al Jazeera”.

“Sepse Netanyahu qartazi është duke dërguar porosi të fuqishme se ai po e saboton qëllimisht marrëveshjen. Ai po e përgatit atmosferën për rikthim në luftë” – shtoi zyrtari i Hamasit.

“Prandaj, cilat janë garancitë se ai mund t’i marrë katër trupat e tjerë dhe përsëri të mos e lirojë numrin e palestinezëve sipas marrëveshjes plus 620 palestinezët (e tjerë që nuk janë liruar më herët)” – pyeti anëtari i byrosë politike të grupit palestinez.

Hamasi ka thënë më parë se do të lirojë katër trupa pengjesh këtë javë, duke e kompletuar fazën e parë të armëpushimit, por kjo gjë tashmë është në dyshim. Netanyahu është dukur ngurrues për të biseduar rreth fazës së dytë prej tri fazave të armëpushimit, e cila do ta përfshinte tërheqjen e plotë ushtarake izraelite nga Gaza./Nacionale

Lajme të ngjashme