Hamasi thotë se është i gatshëm për ta zbatuar armëpushimin pa kushte të reja
Hamasi tha të mërkurën se negociatorët e tij e ritheksuan gatishmërinë e grupit për të zbatuar një armëpushim “të menjëhershëm” me Izraelin në Gaza duke u mbështetur në një propozim të mëparshëm të ShBA-së, pa kushte të reja nga asnjëra palë.
Grupi palestinez tha në një deklaratë se ekipi i tij negociues, i udhëhequr nga zyrtari i lartë, Khalil al-Hayya, u takua me ndërmjetësit të mërkurën, përfshirë kryeministrin e Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, dhe shefin e inteligjencës egjiptiane, Abbas Kamel, në Doha për të diskutuar rreth zhvillimeve më të reja në Gaza, raporton agjencia "Reuters".
Përmes bisedimeve deri më tani nuk është arritur përfundimi i luftës 11-mujore. Në mesin e çështjeve të pazgjidhura është kontrolli i korridorit Filadelfi përgjatë kufirit të Gazës me Egjiptin.
Drejtori i CIA-s, William Burns, që gjithashtu është kryenegociator i ShBA-së për Gazën, tha të shtunën se një propozim më i hollësishëm për armëpushim do të bëhej gjatë ditëve të ardhshme.
Sipas një propozimi të paraqitur nga presidenti amerikan, Joe Biden, në qershor, parashikohej armëpushim me tri faza në këmbim të lirimit të pengjeve izraelite.
Lufta në Gaza nisi pasi Hamasi e sulmoi Izraelin më 7 tetor të vitit të kaluar, duke vrarë rreth 1.200 njerëz e duke marrë afro 250 pengje, sipas shifrave izraelite. Nga ofensiva izraelite deri më tani janë vrarë 41 mijë e 84 palestinezë dhe mbi 95 mijë të tjerë janë plagosur, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza.