Hamasi thotë se është i gatshëm për “marrëveshje të plotë”, nëse Izraeli e ndal luftën
Hamasi tha të enjten se u ka treguar ndërmjetësve se nuk do të marrë pjesë në bisedime të reja gjatë agresionit të vazhdueshëm, por se është i gatshëm për një “marrëveshje të plotë”, përfshirë shkëmbimin e pengjeve me të burgosur, nëse Izraeli e ndal luftën.
Bisedimet, të ndërmjetësuara nga Egjipti dhe Katari, mes të tjerëve, për të siguruar një armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit në Gaza kanë ngecur vazhdimisht dhe palët e kanë fajësuar njëra-tjetrën për mungesën e progresit, raporton agjencia “Reuters”.
Deklarata më e re e Hamasit erdhi përderisa Izraeli e vazhdoi ofensivën në qytetin jugor të Gazës, Rafah, pavarësisht nga një urdhër i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për t’i ndalur sulmet.
“Hamasi dhe grupet palestineze nuk do të pranojnë që të jenë pjesë e kësaj politike përmes vazhdimit të bisedimeve [për armëpushim] pas agresionit, rrethimit, vdekjes nga uria dhe gjenocidit ndaj popullit tonë” – thuhet në deklaratën e Hamasit.
“Sot, ne i njoftuam ndërmjetësit për pozicionin tonë të qartë se nëse pushtimi [Izraeli] i ndal luftën dhe agresionin e tij kundër popullit tonë në Gaza, gatishmëria jonë [është] që të arrijmë një marrëveshje të plotë që përfshin një pakt gjithëpërfshirës për shkëmbim” – thuhet më tej.
Izraeli i ka refuzuar ofertat e mëparshme të Hamasit, duke i cilësuar si të pamjaftueshme, dhe ka thënë se është i vendosur për ta zhdukur grupin deri në shkatërrim. Sipas autoriteteve izraelite, ofensiva në Rafah është e përqendruar te shpëtimi i pengjeve dhe çrrënjosjen e luftëtarëve të Hamasit.
Gati 36 mijë palestinezë janë vrarë gjatë ofensivës izraelite në mbarë Gazën, sipas Ministrisë së Shëndetësisë. Izraeli e nisi operacionin, pasi militantë të udhëhequr nga Hamasi sulmuan disa komunitete në jug të Izraelit më 7 tetor të vitit të kaluar, duke vrarë rreth 1.200 persona e duke marrë mbi 250 të tjerë peng, sipas shifrave të autoriteteve izraelite.