Hamasi thotë se e ka dorëzuar përgjigjen ndaj propozimit për armëpushim në Gaza - NACIONALE

Hamasi thotë se e ka dorëzuar përgjigjen ndaj propozimit për armëpushim në Gaza

1 vit më parë

nga NACIONALE

Hamasi njoftoi të enjten në mëngjes se kishte dorëzuar një përgjigje për propozimin më të ri për marrëveshjen e armëpushimit dhe lirimit të pengjeve, pasi ndërmjetësit e kishin kundërshtuar me zemërim përgjigjen e mëhershme të grupit, e dorëzuar të martën në mbrëmje.

Përgjigjja e së enjtes ishte version i zbutur i asaj që Hamasi e kishte dorëzuar të martën, tha një zyrtar izraelit në kushte anonimiteti, duke shtuar se Izraeli ishte në procesin e analizimit të përgjigjes në mënyrë të plotë, shkruan gazeta “The Times of Israel”.

Propozimi i mëhershëm i Hamasit ishte hedhur poshtë shpejt nga ndërmjetësit, të cilët i cilësuan si “të papranueshme” kërkesat e reja të grupit, tha të mërkurën një burim i përfshirë në bisedime.

Përgjigja që e dorëzoi Hamasi të martën në mbrëmje erdhi pas disa ditëve të asaj që disa ndërmjetës e panë si zvarritje të procesit nga Hamasi.

Javën e kaluar, ndërmjetësit ishin optimistë për mundësinë e një marrëveshjeje të shpejtë, pasi Izraeli hoqi dorë nga shumë prej kërkesave të tij në lidhje me nivelin e pranisë së trupave në Gaza gjatë armëpushimit të mundshëm 2-mujor që po diskutohet.

Megjithatë, në përgjigjen e së martës nga Hamasi kërkohej që Izraeli të tërhiqej më tej drejt kufirit të Gazës, tha burimi, duke shtuar se grupi palestinez gjithashtu kishte dorëzuar amendamente në lidhje me garancitë nga ndërmjetësit për t’ia vështirësuar Izraelit rifillimin e luftës pas përfundimit të armëpushimit 60-ditor dhe për disa çështje të tjera.

Hamasi është i përçarë sa i përket çështjes nëse duhet të marrë pozicion më të ashpër apo t’i bëjë koncesionet e nevojshme për sigurimin e marrëveshjes, tha të mërkurën burimi i përfshirë në ndërmjetësim.

Menjëherë pas pranimit të përgjigjes së Hamasit të martën në mbrëmje, ndërmjetësit nga Egjipti dhe Katari i thanë grupit se nuk do t’ia paraqisnin propozimin emisarit të posaçëm amerikan për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, dhe kërkuan që Hamasi të dorëzonte një propozim të zbutur, tha burimi të mërkurën, duke shtuar se zemërimi i ndërmjetësve ndaj grupit palestinez ishte duke u rritur./Nacionale

Lajme të ngjashme