Hamasi thotë se do ta studiojë propozimin e ri për armëpushim në Gaza - NACIONALE

Hamasi thotë se do ta studiojë propozimin e ri për armëpushim në Gaza

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Hamasi tha të martën se do të studiojë një propozim të ri për armëpushim në luftën me Izraelin në Gaza, disa orë pasi disa komando izraelitë vranë tre militantë palestinezë gjatë bastisjes së maskuar në një spital të Bregut të pushtuar Perëndimor.

Udhëheqësi i Hamasit, Ismail Haniyeh, tha se grupi kishte pranuar një propozim të ri për armëpushim, të çuar përpara pas bisedimeve në Paris. Haniyeh tha se ai do ta studionte planin dhe do ta vizitonte Kajron e Egjiptit për ta diskutuar atë, raporton agjencia “Reuters”.

Megjithatë, ai shtoi se prioritet për grupin palestinez është që t’i jepet fund ofensivës izraelite dhe të tërhiqen forcat izraelite nga Gaza.

Haniyeh nuk dha hollësi të propozimit për armëpushim, por dokumenti vjen pas bisedimeve në Paris, në të cilat u përfshinë drejtori i CIA-s, William Burns, kryeministri i Katarit, shefi i shërbimit izraelit të inteligjencës, Mossad, dhe drejtori i inteligjencës egjiptiane.

Tanket në aksion

Izraeli bëri një shtytje të re në veri të Gazës pas raportimit të suksesit më herët kundër militantëve palestinezë atje. Prania e militantëve në atë zonë sugjeron se fushata e Izraelit për ta çrrënjosur Hamasin nuk është duke u zhvilluar sipas planit.

Një pjesë e madhe e veprimeve të së martës në Gaza u përqendruan në kampin e refugjatëve në plazh dhe afër spitalit “Shifa”, thanë banorët. Tanket izraelite depërtuan në një vendstrehim dhe ushtarët rrethuan dhjetëra burra.

Banoët dhe zyrtarët shëndetësorë gjithashtu thanë se një tank izraelit hapi zjarr kundër dhjetëra palestinezëve afër Sheshit “Al-Kuwaiti” në skajin jugor të qytetit Gaza, ku kamionët me ndihma i shkarkojnë dërgesat, duke vrarë dy njerëz e duke plagosur disa të tjerë.

Luftimet detyruan më shumë njerëz që të iknin brenda qytetit Gaza dhe për në jug, drejt Deri Al-Balah, në pjesën qendrore.

Në jug, forcat izraelite e mbajtën presionin në Khan Younis, duke e vazhduar rrethimin e dy spitaleve kryesore të qytetit.

Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze tha se tanket izraelite po hapnin zjarr afër spitalit “Al-Amal” dhe një zyre të kësaj organizate në Khan Younis, duke vrarë një person e duke plagosur nëntë të tjerë.

Ushtria izraelite tha në një përmbledhje të operacioneve gjatë natës se veprimet vazhduan në pjesën perëndimore të qytetit Khan Younis, ku u vranë militantë e ku u kapën shumë armë. Në Gazën veriore dhe qendrore, ushtarët vranë militantë “të shumtë”, përfshirë një skuadër për hedhjen e granatave me raketa./Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme