Hamasi njofton se i është përgjigjur pozitivisht propozimit për armëpushim në Gaza
Hamasi ka njoftuar se ka “dhënë një përgjigje pozitive” ndaj një propozimi për një armëpushim 60-ditor në Gaza, duke hapur rrugën drejt një marrëveshjeje për t’i dhënë fund konfliktit pas muajsh përpjekjesh të dështuara.
“CNN” citon një komunikatë të Hamas ku mes tjerash thuhet:
“Kemi dorëzuar një përgjigje pozitive te ndërmjetësit dhe lëvizja është plotësisht e gatshme të hyjë menjëherë në një raund negociatash për mekanizmin e zbatimit të këtij kuadri.”
Izraeli kishte pranuar më parë kuadrin e sponsorizuar nga SHBA, që do të thotë se të dyja palët pritet tani të hyjnë në negociata përfundimtare e të detajuara përpara se të arrihet zyrtarisht një marrëveshje për armëpushim.
Nga 50 pengjet izraelite që ndodhen ende në Gaza, propozimi parashikon lirimin e 10 pengjeve të gjalla dhe 18 të vdekurve gjatë periudhës së armëpushimit. Ditën e parë të armëpushimit, Hamas do të lirojë tetë pengje të gjalla në këmbim të një numri të pacaktuar të të burgosurve dhe të ndaluarve palestinezë. Pas këtij lirimi, Izraeli do të tërhiqet nga disa zona në veri të Gazës, dhe të dyja palët do të nisin negociatat drejt një armëpushimi të përhershëm.
Lirimi i pengjeve do të bëhet pa ceremoni apo manifestime publike nga ana e Hamasit. Pengjet e mbetura do të lirohen në katër data të tjera të përcaktuara në propozim.