Hamasi kthen përgjigje për propozimin për armëpushim në Gaza
Hamasi thotë se i ka dhënë përgjigje një propozimi për armëpushim të ri në Gaza. Hollësitë e marrëveshjes, të përcaktuara nga Izraeli, ShBA-ja, Katari e Egjipti, nuk janë bërë të ditura.
Megjithatë, më herët është raportuar se në propozim përfshihet një armëpushim 6-javor, kur më shumë pengje izraelite do të liroheshin nga Hamasi në këmbim të të burgosurve palestinezë të liruar nga Izraeli, raporton televizioni BBC.
Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara kanë thënë se janë duke e shqyrtuar përgjigjen e Hamasit. Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, i cili ndodhet për vizitë në Lindje të Mesme, ka thënë se do ta diskutojë përgjigjen e Hamasit me zyrtarë në Izrael të mërkurën.
Përderisa Blinkeni nuk ka dhënë shenja se si e sheh ShBA-ja përgjigjen e Hamasit, presidenti Joe Biden e ka përshkruar atë si “pak mbi kulm”, duke lënë të kuptohet se udhëheqësit izraelitë nuk do të pajtohen lehtë me ato që po i kërkon grupi palestinez.
Një zyrtar i lartë i Hamasit i tha BBC-së se grupi kishte paraqitur një “vizion pozitiv” në përgjigjen ndaj kornizës, por kishte kërkuar disa amendamente në lidhje me rindërtimin e Gazës, kthimin e banorëve në shtëpitë e tyre dhe dispozitat për personat që janë zhvendosur.
Zyrtari tha se Hamasi gjithashtu kishte kërkuar ndryshime në lidhje me trajtimin e personave të lënduar, përfshirë kthimin e tyre në shtëpi dhe dërgimin në spitale jashtë vendit.
Propozimi i ishte dërguar Hamasit para rreth një jave, por një përfaqësues i tha agjencisë “Reuters” se grupit i ishte dashur kohë deri të martën për t’u përgjigjur, sepse disa pjesë të kornizës ishin “të paqarta dhe të dykuptimshme”.
Kryeministri i Katarit, Sheikh Mohammed Bin Abdulrahman al Thani, e ka përshkruar përgjigjen e Hamasit si “pozitive” në përgjithësi.
Gjatë një armëpushimi njëjavor në fund të nëntorit, 105 pengje izraelite dhe të huaja ishin liruar në këmbim të lirimit të 240 palestinezëve nga burgjet izraelite.
Koha e zbatimit të ndonjë marrëveshjeje të re mund të ndërlikohet nga pretendimet e kësaj jave nga zyrtarë izraelitë të mbrojtjes se ushtria është “duke bërë përparim” në synimin për ta kapur udhëheqësin e Hamasit, Yahya Sinwar.
Megjithatë, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, është nën presion të brendshëm për ta siguruar lirimin e pengjeve të mbetura.
Shtetet e Bashkuara po mundohen që të shmangin një eskalim rajonal pas sulmit të javës së kaluar me dron në Jordani, ku u vranë tre ushtarë amerikanë. Uashingtoni është hakmarrë për këtë sulm me sulme ajrore kundër grupeve të përkrahura nga Irani në Siri e Irak dhe ka paralajmëruar se kjo nuk do të jetë e tëra.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli