Hamasi konfirmon se të shtunën do të lirojë edhe katër pengje izraelite - NACIONALE

Hamasi konfirmon se të shtunën do të lirojë edhe katër pengje izraelite

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një zyrtar i Hamasit konfirmoi të martën se katër pengje izraelite të gjinisë femërore do të lirohen të shtunën si pjesë e marrëveshjes për armëpushim, me të cilën do të lirohen edhe disa të burgosur palestinezë nga Izraeli.

Taher al-Nunu tha se Hamasi do të lirojë “katër të ndaluara izraelite në këmbim” me grupin e dytë të të burgosurve palestinezë që do të lirohen nga Izraeli, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Ai nuk i tregoi emrat e katër pengjeve që do të lirohen pas më shumë se 470 ditëve në robëri. Në marrëveshjen për armëpushim thuhet se Hamasit i kërkohet që t’i ofrojë emrat e pengjeve të paktën 24 orë para lirimit të tyre, edhe pse grupi palestinez nuk e përmbushi këtë kusht me rastin e lirimit të tri grave të para të dielën.

Deklarata e zyrtarit të Hamasit erdhi pasi një zëdhënës i zyrës së këtij grupi për të burgosurit pretendoi të hënën se lirimi i ardhshëm i pengjeve do të ndodhte të dielën, një ditë më vonë se dita për të cilën kishte marrëveshje. Sidoqoftë, fjalët e zëdhënësit u pasuan nga një deklaratë e Hamasit, në të cilën thuhet se lirimi i grupit të dytë do të ndodhë të shtunën.

Në listën fillestare prej 33 pengjeve që pritet të lirohen në fazën e parë të marrëveshjes ndodhen shtatë gra. Dy prej tyre janë civile: Arbel Yehud, 29 vjeçe, dhe Shiri Silberman Bibas, 33 vjeçe.

Dy djemtë e vegjël të Bibas-it, Ariel dhe Kfir, 5 dhe 2 vjeç, janë gjithashtu duke u mbajtur në Gaza dhe ndodhen në listë, bashkë me bashkëshortin e saj, Yarden Bibas.

Ndërkohë, ambasadori rus në Izrael, Anatoly Viktoriv, tha të martën se pengu ruso-izraelit, Sasha Trufanov, do të lirohet nga Gaza në javët e ardhshme dhe se ai “nuk është tërësisht i shëndoshë”, por në gjendje të qëndrueshme./Nacionale

Lajme të ngjashme