Hamasi e përgëzon popullin sirian për përfundimin e sundimit të Assadit
Grupi palestinez, Hamas, të hënën e përgëzoi popullin sirian për arritjen e “aspiratave për liri dhe drejtësi” pas rrëzimit të presidentit Bashar al-Assad nga pushteti.
Ky ishte komenti i parë publik i Hamasit që nga hyrja e rebelëve në kryeqytetin sirian të dielën pas një avancimi të shpejtë, që e detyroi Assadin të ikte në Rusi pas një lufte civile 13-vjeçare dhe gjashtë dekadave të sundimit autokratik të familjes së tij, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Ne qëndrojmë fuqishëm me popullin e madh të Sirisë… dhe i respektojmë vullnetin, pavarësinë dhe zgjedhjet politike të popullit të Sirisë” – thuhet në deklaratën e grupit që e qeveris Rripin e Gazës.
Hamasi më tej tha se shpreson që Siria pas Assadit do ta vazhdojë “rolin e saj historik dhe kryesor në mbështetjen e popullit palestinez”.
Në një deklaratë tjetër, Ziad al-Nakhala, udhëheqës i grupit Xhihadi Islam, që mbështetet nga Irani dhe është aleat i Hamasit, tha fjalë të ngjashme.
“Xhihadi Islam shpreson që Siria do të mbetet një përkrahëse e vërtetë për popullin palestinez, kauzën e tyre të drejtë, siç ka qenë gjithmonë” – tha Nakhala.
Hamasi publikisht e kishte përkrahur kryengritjen e myslimanëve sunitë më 2011 kundër sundimit të Assadit dhe e kishte boshatisur selinë kryesore të grupit në Damask më 2012, veprim që e kishte zemëruar Iranin, aleat edhe i Assadit, edhe i Hamasit.
Hamasi kishte vendosur më 2022 që t’i rivendoste lidhjet me Qeverinë e Assadit dhe kishte dërguar një delegacion në Damask, ku udhëheqësit e grupit u takuan me presidentin tashmë të rrëzuar sirian me shpresën se do t’i riparonin marrëdhëniet./Nacionale