Hamasi do të kërkojë rishikime kyçe në planin e Trumpit para se ta pranojë, thonë burimet - NACIONALE

Hamasi do të kërkojë rishikime kyçe në planin e Trumpit para se ta pranojë, thonë burimet

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Hamasi do të kërkojë rishikime kyçe në propozimin e presidentit amerikan, Donald Trump, për armëpushim në Gaza, por pritet ta pranojë planin ditëve në vijim si bazë për bisedimet të përtërira, thonë analistët dhe disa burime të afërta me grupin.

Trumpi të martën vendosi një afat prej “tre ose katër ditësh” që Hamasi t’i jepte përgjigje planit të tij 20-pikësh, me të cilin synohen përfundimi i luftës 2-vjeçare në Gaza dhe lejimi i një administrate ndërkombëtare pa afat të caktuar në enklavën palestineze, në të kundërtën Hamasi “do ta paguante ferrin”, sipas presidentit amerikan.

Mkhaimar Abusada, politolog nga Gaza që jeton në Kajro, tha se Hamasi tani duhet “të zgjedhë mes të keqes dhe më të keqes”, raporton gazeta “The Guardian”.

“Nëse ata thonë ‘jo’, siç ka bërë të qartë Trumpi, kjo nuk do të jetë e mirë dhe do ta lejojë Izraelin që të bëjë çfarëdo që nevojitet për t’i dhënë fund kësaj. Ata do të thonë “po, por na duhet kjo dhe ajo” – tha Abusada.

Hugh Lovatt nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie të Jashtme, tha se do të ishte shumë vështirë për Hamasin që t’i pranojë pikat e planit të Trumpit në mënyrë të pakushtëzuar. “Kjo është e kuptueshme. Tekstit i mungojnë hollësitë, por pastaj çfarëdo tjetër pos pranimit të plotë dhe përfundimtar do të përdoret kundër Hamasit nga Izraeli, administrata e Trumpit dhe me gjasë evropianët” – tha ai.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka pranuar planin e Trumpit, i cili përfshin shumë prej kërkesave kryesore të Izraelit dhe është hartuar pa u konsultuar me Hamasin. Netanyahu ka thënë se Izraeli “do ta kryejë punën”, nëse Hamasi e refuzon planin e Trumpit ose nëse e ngadalëson zbatimin e tij.

Udhëheqësit e Hamasit qëndrojnë në Stamboll, Doha dhe Gaza, gjë që i vështirëson diskutimet rreth përgjigjes së grupit. Turqia dhe Katari po i bëjnë trysni Hamasit që të bëjë lëshime.

Një pikë ngërçi është kërkesa e planit të Trumpit që Hamasi të çarmatoset, tha një burim i afërt me grupin. Dorëzimi i të gjitha armëve do të ishte shumë i vështirë për Hamasin që ta pranojë, sidomos pa ndonjë proces politik ose progres substancial drejt një zgjidhjeje me dy shtete.

“Ka trende të ndryshme brenda lëvizjes. Anëtarësia në Doha priret të jetë më pragmatike, sidomos në krahasim me udhëheqjen ushtarake në Gaza” – tha Lovatt./Nacionale

Lajme të ngjashme