“Haaretz”: Netanyahu po e shfrytëzon kërcënimin me vrasje për ta shmangur gjyqin për korrupsion - NACIONALE

“Haaretz”: Netanyahu po e shfrytëzon kërcënimin me vrasje për ta shmangur gjyqin për korrupsion

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, këtë javë nisi që ta përgatiste terrenin për ta shtyrë dhënien e dëshmisë në gjykimin e vazhdueshëm ndaj tij për ryshfet dhe korrupsion, që është caktuar të fillojë pas një muaji, sipas një analize të gazetarit izraelit, Gidi Weitz.

Deri më tani, Netanyahu nuk ka kërkuar nga gjykata shtyrje tjetër të datës për paraqitjen e tij në gjykatë, por nuk ka shenja se ai është duke u përgatitur për dhënien e dëshmisë, raporton gazeta “Haretz”.

Këtë javë, njëri nga njerëzit e kryeministrit tha: “Dëshmia nuk mund të jepet në fillim të shtatorit, për dy arsye – drejtimi i luftës nuk ia bën atij të mundur përgatitjen për dëshminë e tij dhe prania e rregullt në Gjykatën e Qarkut në Jerusalem në këtë kohë i rrezikon jetën e tij dhe jetën e të gjithëve në sallë.”

“Ka kërcënime serioze ndaj Netanyahut, s’ka dyshim për këtë. Të gjithë panë se çfarë i ndodhi dritares së shtëpisë [së Netanyahut] në Caesarea. Pas vrasjeve në Gaza, Liban dhe Iran, është një motiv i posaçëm për të lënduar izraelitë të lartë” – i tha gazetës një person i njoftuar me çështjen.

Një kërkesë për ta shtyrë dhënien e dëshmisë nga Netanyahu do ta përforconte konkluzionin tashmë të qartë se një i pandehur nuk mund të shërbejë si kryeministër. Edhe pa këtë, Netanyahu është vazhdimisht nën dyshim se procedura gjyqësore kundër tij po ndikon në vendimet që i merr, shkruan gazeta izraelite.

Këtë javë, Gjykata e Lartë e Drejtësisë mori një peticion nga të afërmit e pengjeve, të cilët pretendojnë se Netanyahu është personi i vetëm që vendos për çështjen e pengjeve, në kundërshtim me ligjin.

Masakra e 7 tetorit supozohej se do t’ia ndërpriste karrierën politike Netanyahut. Një vit më pas, ai po e fuqizon pozitën e vet dhe po del më i fortë në sondazhe. Lufta po vazhdon, pengjet po kalben në Gaza, dëshmia e kryeministrit është në dyshim, ndërsa gjykimi është shumë larg nga fundi.

Lajme të ngjashme