Guvernatori rus: Dronët ukrainas ia vunë flakën depos së naftës në Rostov
Një sulm ukrainas me dronë shkaktoi zjarr në një depo nafte në distriktin Kamensky të rajonit jugor rus, Rostov, tha të mërkurën guvernatori rajonal, duke i konfirmuar raportimet se disa cisterna ishin kapluar nga flaka.
“Nuk ka pasoja në njerëz. Zjarrfikësit janë duke e shuar zjarrin” – tha në rrjetin “Telegram” guvernatori Vasily Golubev, raporton agjencia “Reuters”.
Njësitet ruse të mbrojtjes ajrore shkatërruan katër dronë mbi këtë rjaon gjatë natës, tha Ministria e Mbrojtjes e Rusisë, pa përmendur ndonjë sulm ndaj depos së karburanteve.
Më herët, kanali “Baza” në Telegram, që është i afërt me shërbimet ruse të sigurisë, tha se tri cisterna ishin duke u djegur në depon në Kamensky, pasi dy dronë kishin rënë në zonë.
Në video të publikuara në rrjete sociale ruse u shfaqën ato që dukeshin si cisterna të mëdha duke u djegur natën. Agjencia “Reuters” nuk ishte në gjendje që ta vërtetonte vendndodhjen e cisternave.
Nuk pati koment të menjëhershëm nga Ukraina. Një depo për mbajtjen e naftës në distriktin Kamensky ishte sulmuar edhe në fillim të këtij muaji.
Në një rast tjetër, Alexander Gusev, guvernator i rajonit Voronezh, që kufizohet me Ukrainën, tha se mbetjet nga një dron i hedhur nga Ukraina mbi rajon nxitën zjarr “afër objekteve shpërthyese”, por nuk kishte detonim.
Sipas Gusevit, zjarri u shua dhe banorët po ktheheshin në shtëpitë e tyre në dy vendbanime nga të cilat ishin evakuuar./Nacionale