Pas rekordeve të temperaturës, Guterresi thotë se ndryshimi i klimës është jashtë kontrollit
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka thënë se ndryshimi i klimës është jashtë kontrollit, pasi një analizë jozyrtare e të dhënave tregoi se temperaturat mesatare në botë në shtatë ditët e fundit deri të mërkurën ishin java më e nxehtë që është regjistruar ndonjëherë.
“Nëse ne vazhdojmë që t’i shtyjmë masat kyçe që nevojiten, mendoj se jemi duke lëvizur drejt një situate katastrofale, siç tregojnë dy rekordet e fundit të temperaturës”- tha Guterresi, duke iu referuar dy rekordeve jozyrtare botërore të temperaturës që u regjistruan të hënën dhe të martën.
Temperatura mesatare globale e ajrit të martën ishte 17,18 gradë Celsius, sipas të dhënave të grumbulluara nga Qendrat Kombëtare për Parashikim Mjedisor në ShBA, duke e thyer rekordin e së hënës prej 17,01 gradësh, raporton gazeta “The Guardian”.
Në shtatë ditët e fundit që përfunduan të mërkurën, mesatarja ditore ishte për 0,04 gradë më e lartë se në cilëndo javë të 44 vjetëve të regjistrimit të të dhënave, sipas të dhënave të qendërs për analizimin e të dhënave të klimës, “Climate Reanalyzer”, në Universitetin e Maine-s.
Kjo vegël matëse tregoi se temperature mesatare në Tokë të mërkurën mbeti në nivelin rekord prej 17,18 gradësh.
Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike e Shteteve të Bashkuara, të dhënat e së cilës cilësohen si standard i artë për të dhënat e klimës, tha të enjten se nuk mund t’i vërtetojë numrat jozyrtarë të temperaturave.
Megjithatë, shkencëtarët pajtohen se këta numra tregojnë se ndryshimi i klimës është duke arritur në territor të paeksploruar dhe se shtimi i vapës nga ngrohja globale antropogjene me kthimin e efektit “El Ninjo” do të çojnë në më shumë rekorde të temperaturave.
Pjesë të ndryshme të botës kanë përjetuar valë të vapës dhe të enjten, shërbimi vëzhgues i BE-së për klimën tha se bota këtë vit e përjetoi qershorin më të nxehtë që është regjistruar ndonjëherë.
