Grupi palestinez i përkrahur nga Izraeli vret një zyrtar të lartë policor të Hamasit në Gaza
Një grup militant palestinez i mbështetur nga Izraeli tha të hënën se ka vrarë një oficer të lartë policor në jug të Rripit të Gazës. Hamasi për këtë rast i fajësoi “kolaboracionistët të Izraelit”.
Në një deklaratë të Ministrisë së Brendshme të drejtuar nga Hamasi thuhet se personat e armatosur hapën zjarr nga një veturë që po kalonte, duke e vrarë Mahmboud Al-Astalin, drejtor i policisë kriminale në Khan Younis. Sulmuesit u përshkuan si “kolaboracionistë me pushtimin [Izraelin]”, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Hussam Al-Astal, udhëheqës i një grupi kundër Hamasit me bazë në një zonë që është nën kontrollin izraelit në lindje të qytetit Khan Younis, e mori përgjegjësinë për vrasjen përmes një videoje të publikuar në rrjetin “Facebook”.
“Për ata që punojnë me Hamasin, fati juaj është që të vriteni. Vdekja është duke ardhur te ju” – tha ai, i veshur në një uniformë të zezë të stilit ushtarak dhe duke mbajtur në dorë një pushkë sulmuese.
Agjencia “Reuters” nuk mundi t’i vërtetonte në mënyrë të pavarur rrethanat e sulmit. Një zyrtar ushtarak izraelit tha se ushtria nuk ishte e vetëdijshme për ndonjë operacioni në atë zonë.
Izraeli i ka lejuar rivalët e Hamasit që të operojnë në zonat që i ka nën kontroll në Gaza. Sipas fazave të mëvonshme të planit të ShBA-së për Gazën, Izraelit i kërkohet që të tërhiqet më tej nga zonat e Gazës, ndërsa Hamasit që pushtetin t’ia dorëzojë një administrate të mbështetur nga komuniteti ndërkombëtar, por deri më tani nuk ka pasur përparim drejt këtyre hapave.
Në qershorin e vitit të kaluar, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, pranoi se vendi i tij i mbështet grupet kundër Hamasit, duke thënë se Izraeli kishte “aktivizuar” klane, por prej asaj kohe ka dhënë pak hollësi.