Grupi italian “Leonardo” e prezanton sistemin e mbrojtjes ajrore “Kupola e Mikelanxhelos”
Grupi italian i mbrojtjes dhe aerohapësirës, “Leonardo”, të enjten prezantoi plane për një sistem shumështresësh të mbrojtjes ajrore, kur shtetet evropiane po i shtojnë kapacitetet ushtarake për forcimin e mbrojtjes kundër Rusisë dhe kërcënimeve të tjera.
“Kupola e Mikelanxhelos” është e dizajnuar për t’i mbrojtur infrastrukturën kritike dhe zonat kyçe të interesit kombëtar ose ndërkombëtar nga rreziqet përmes lidhjes së platformave dhe pajisjeve të ndryshme në hapësirë, ajër, tokë ose det, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Ky sistem është në gjendje që t’i vërejë, t’i përcjellë, t’i pengojë dhe t’i neutralizojë kërcënimet në ajër në ardhje si raketat dhe dronët para se ato të mund të shkaktojnë dëme dhe do të funksionojë në mënyrë të ngjashme me “Kupolën e Hekurt” të Izraelit, e cila është në operim që nga viti 2011.
“Ky është një model që është i rëndësishëm për sigurinë në Itali, Evropë dhe për vendet e NATO-s në vitet në vijim” – tha gjatë prezantimit në Romë shefi ekzekutiv i grupit “Leonardo”, Roberto Cingolani.
Sipas tij, kompania e kontrolluar nga shteti do të ndërtojë një ekip të përbërë nga stafi i “Leonardo”-s dhe forcat e armatosura italiane për të “dizajnuar një arkitekturë sipas nevojave të mbrojtjes sonë”.
Pas një zbatimi të pjesshëm, “Mikelanxhelo” do të fillojë që të jetë plotësisht operacional nga viti 2028. Planet u janë paraqitur zyrtarëve të lartë ushtarakë italianë ditëve të fundit.
Ministri i Mbrojtjes i Italisë, Guido Crosetto, rishtazi ka bërë thirrje për zgjidhje për luftimin e kërcënimeve të luftës hibride, sidomos për infrastrukturën energjetike dhe aeroportet./Nacionale