Grupet e udhëhequra nga Hamasi ekzekutojnë katër burra për plaçkitje të ndihmave
Hamasi ka ekzekutuar katër burra për plaçkitje të disa prej kamionëve me ndihma që kanë filluar të hyjnë në Gaza, thanë të hënën disa burime të afërta me incidentin, përderisa udhëheqësi i një grupi në jug të Gazës lëshoi një sfidë për Hamasin në lidhje me ruajtjen e autokolonave.
Një burim tha se katër burrat e ekzekutuar ishin të përfshirë në një incident javën e kaluar, kur gjashtë zyrtarë të sigurisë u vranë nga një sulm ajror izraelit, përderisa po punonin për ta parandaluar rrëmbimin e kamionëve me ndihma nga anëtarët e bandës, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Katër kriminelët, të cilët u ekzekutuan, ishin të përfshirë në krimet e plaçkitjes dhe shkaktimit të vdekjes së anëtarëve të një force të ngarkuar me detyrën e sigurimit të kamionëve me ndihma” – i tha agjencisë “Reuters” njëri nga burimet.
Shtatë të dyshuar të tjerë janë në kërkim, sipas një deklarate të lëshuar nga një grup që e identifikon veten si “Rezistenca Palestineze”.
Asistenca humanitare filloi të hynte në Gaza javën e kaluar, pasi Izraeli u dorëzua para presionit ndërkombëtar dhe e hoqi bllokadën që e kishte vendosur në fillim të marsit dhe që kishte lënë gjysmë milioni njerëz në përballje me vdekjen nga uria, sipas një vëzhguesi global të urisë.
Grupet e ndihmave thonë se dërgesat janë penguar nga plaçkitjet, por ato e kanë fajësuar Izraelin për krijimin e një situate ku qindra mijëra njerëz janë çuar në dëshpërim për shkak të bllokadës.
Izraeli e ka akuzuar Hamasin për vjedhje të ndihmave – akuzë e mohuar nga grupi – dhe çështja e kontrollit të kamionëve me ndihma është kontestuar me tensione.
Zyrtarë të ushtrisë izraelite thonë se ekipet e sigurisë të vendosura nga Hamasi janë aty për t’i marrë ndihmat e jo për t’i mbrojtur ato, por Izraeli nuk ka paraqitur dëshmi të plaçkitjes së ndihmave nga grupi palestinez që nga koha kur e lehtësoi bllokadën javën e kaluar.
Yasser Abu Shabab, udhëheqësi i një klani të madh në zonën e qytetit Rafah, tani nën kontrollin e plotë të ushtrisë izraelite, tha se është duke ndërtuar një forcë për t’i siguruar dërgesat e ndihmave në disa pjesë të enklavës. Ai publikoi fotografi të burrave të armatosur të grupit të tij duke e pranuar dhe duke e organizuar trafikun e kamionëve me ndihma.
Hamasi, i cili nuk mund të operojë në zonën e qytetit Rafah ku Abu Shababi ka ca kontroll, e ka akuzuar atë për plaçkitje të kamionëve me ndihma ndërkombëtare muajve të kaluar dhe për mbajtje të lidhjeve me Izraelin./Nacionale