Gruaja e Navalnyt kërkon që BE-ja të mos i njohë zgjedhjet e marsit në Rusi - NACIONALE

Gruaja e Navalnyt kërkon që BE-ja të mos i njohë zgjedhjet e marsit në Rusi

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Yulia Navalnaya, e veja e opozitarit rus, Alexei Navalny, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian të refuzojë njohjen e zgjedhjeve presidenciale të marsit në Rusi, hap që e eskalon dukshëm fushatën e saj kundër presidentit rus, Vladimir Putin.

Navalnaya, e cila e ka akuzuar Putinin për vrasjen e bashkëshortit të saj, shfrytëzoi një video-mesazh nga jashtë të hënën për t’u bërë thirrje përkrahësve të opozitës që ta kundërshtojnë kreun e Kremlinit me zemërim më të madh se kurrë më parë dhe ta lirojnë Rusinë nga ajo që zonja Navalnaya e cilësoi elitë të korruptuar“banditëve në uniformë, hajdutëve e vrasësve”, raporton agjencia “Reuters”.

Putini, udhëheqës i vendit për më shumë se 20 vjet, pritet që me lehtësi të fitojë një mandat të ri 6-vjeçar në pushtet muajin e ardhshëm. Ai ende nuk ka folur publikisht për vdekjen e Navalnyt, por Kremlini e ka mohuar përfshirjen dhe ka thënë se është duke u zhvilluar një hetim për të përcaktuar se çfarë ka ndodhur.

Në një takim të ministrave të jashtëm të vendeve të BE-së të hënën në Bruksel, transkriptimi i të cilit u ofrua të martën nga një zëdhënëse, zonja Navalnaya tha: “Mos i njihni këto zgjedhje. Një president që e vrau kundërshtarin e tij kryesor politik nuk mund të jetë legjitim për atë që është.”

Navalnaya, llogaria e së cilës në rrjetin X u pezullua për një kohë të shkurtër të martën për arsye që nuk qenë menjëherë të qarta, ka thënë se hollësitë dhe dëshmitë pse dhe si u vra Navalny do të publikohen së shpejti nga aleatët e bashkëshortit të saj të ndjerë.

Disa udhëheqës perëndimorë, përfshirë presidentin amerikan, Joe Biden, e kanë fajësuar Putinin për vdekjen e opozitarit rus dhe kanë paralajmëruar për pasoja. Megjithatë, ata nuk kanë paraqitur ndonjë dëshmi.

Sipas anketave, Putini, 71 vjeç, ka mbështetje popullore prej më shumë se 80 për qind para zgjedhjeve presidenciale që do të mbahen nga 15 deri më 17 mars dhe në të cilat tre kandidatë po e sfidojnë presidentin. Me përkrahjen e plotë të aparatit shtetëror, të mediave shtetërore e pa ndonjë pakënaqësi të gjerë publike, është e sigurt se ai do të fitojë, raporton agjencia “Reuters”.

Politikanët opozitarë thonë se këto zgjedhje paraqesin maskë të demokracisë për ta mbuluar realitetin e një diktature të korruptuar. Kremlini thotë se Putini është bindshëm politikani më i popullarizuar në Rusi.

Lajme të ngjashme