“Grua fantastike”: Trumpi e pret në Florida djathtisten Meloni të Italisë, e lavdëron
Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e vlerësoi lart kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, duke e quajtur “grua fantastike”, kur ajo iu bashkua listës së udhëheqësve botërorë që e vizituan rezidencën luksoze të Trumpit në Florida.
“Kjo është shumë emocionuese. Jam këtu me një grua fantastike, kryeministren e Italisë. Ajo vërtet e ka zënë Evropën në befasi” – tha Trumpi para një turme njerëzish në rezidencë, raporton televizioni CNN.
Meloni, anëtare e partisë italiane të së djathtës ekstreme, Vëllezërit e Italisë, e mori pushtetin në tetorin e vitit 2022 dhe njihet për lidhjet që i ka me administratën në ardhje të Trumpit, sidomos me aleatin e tij, Elon Musk.
Përderisa dy fuqitë evropiane, Franca e Gjermania, janë duke kaluar nëpër periudhë të trazuar politike, stabiliteti i koalicionit të Melonit në Itali dhe kredencialet e saj konservatore e bëjnë atë aleate të natyrshme për presidentin amerikan në ardhje, thekson televizioni CNN.
Në takimin mes Trumpit e Melonit morën pjesë ish të nominuarit te Trumpit për sekretar të Shtetit dhe për këshilltar të sigurisë kombëtare, Marco Rubio dhe Mike Waltz.