Greva e taksistëve shndërrohet në dhunë, pesë të vrarë në Afrikë të Jugut - NACIONALE

Greva e taksistëve shndërrohet në dhunë, pesë të vrarë në Afrikë të Jugut

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Pesë persona janë vrarë në qytetin Cape Town të Afrikës së Jugut, pasi një grevë e taksistëve me mini-busë, e cila kishte nisur javën e kaluar, u bë e dhunshme, thanë të martën autoritetet e këtij shteti.

Këshilli Kombëtar i Taksistëve të Afrikës së Jugut njoftoi një ndërprerje provinciale të punës të enjten e kaluar, pasi kishte dështuar që të zgjidhte probleme të caktuara me autoritetet lokale në Cape Town, raporton agjencia “Reuters”.

Ankesat u paraqitën, pasi një ligj i ri komunal ua dha kompetencën autoriteteve lokale që të konfiskonin automjete për shkelje si drejtimi pa patentë shoferi ose pa targa të regjistrimit.

Dhuna sporadike shpërtheu në pjesë të ndryshme të qytetit, pasi policia e filloi konfiskimin e automjeteve javën e kaluar, ndërsa protestuesit ua vunë flakën autobusëve e veturave dhe e sulmuan policinë me gurë.

Në mesin e të vdekurve ishte një shtetas britanik 40-vjeçar, i cili u qëllua për vdekje të enjten, tha të martën në një konferencë për gazetarë ministri i Policisë, Bheki Cele, duke shtuar se autoritetet janë duke i hetuar vrasjet dhe dhunën.

Ai tha se 120 të dyshuar ishin arrestuar nga e enjtja për dëmtim të pronave, plaçkitje dhe dhunë publike.

Zyra e Qytetit Cape Town tha se greva i kishte prekur rëndë njerëzit që udhëtojnë për në punë dhe kohë pas kohe i ka lënë ata të ngujuar për shkak të sulmeve ndaj shërbimeve të transportit publik.

Lajme të ngjashme