Greqia pret të hyra rekorde nga turizmi këtë vit
Greqia pret që të ardhurat e saj nga turizmi ta arrijnë shifrën prej 22 miliardë eurosh këtë vit, duke shënuar një rekord të ri, tha të hënën ministrja e Turizmit, Olga Kefalogianni.
Greqia raportoi të hyra rekorde nga turizmi prej 20,6 miliardë eurosh vitin e kaluar dhe të dhënat deri më tani kanë treguar se ky vit do të jetë vit tjetër i mirë, tha ministrja greke në një konferencë për gazetarë, raporton agjencia “Reuters”.
“Greqia është në mesin e dhjetë destinacioneve më të popullarizuara turistike në botë. Ne mund të kemi shpresë që të hyrat do të mund të arrinin deri në 22 miliardë euro” – shtoi zonja Kefalogianni.
Turizmi është degë e rëndësishme e ekonomisë greke, por mungesa e akomodimit i ka nxitur autoritetet që më herët këtë muaj të njoftonin plane për rritjen e taksës për qiratë afatshkurtra, ndalimin e lejeve të reja në pjesën qendrore të Athinës dhe dhurimin e masave nxitëse për pronarët e shtëpive që të kalojnë te biznesi me qira afatgjata nga ato afatshkurtra.
Duke dhënë hollësi për këtë plan, ministrja tha se ndalimi do të vlejë për lejet e reja për qira afatshkurtra në tri distrikte të pjesën qendrore të Athinës për të paktën një vit.