Goditje për Bidenin, sindikata e madhe “Teamsters” po e shqyrton mospërkrahjen
Presidenti amerikan, Joe Biden, është buzë dështimit për ta fituar mbështetjen e një sindikate kyçe të punëtorëve, pasi udhëheqësit e sindikatës “Teamsters” me 1,3 milion anëtarë po e shqyrtojnë mundësinë që të mos e mbështesin asnjërin kandidat në zgjedhje presidenciale, sipas dy personave të afërt me këtë çështje.
Vendimi i sindikatës “Vëllazëria Ndërkombëtare e Teamsters-ave” nuk është finalizuar dhe pritet të merret në javët e ardhshme, raporton agjencia “Reuters”.
Mosmbështetja e Bidenit, të cilin sindikata e kishte përkrahur më 2020, do të përbënte dëm politik ndaj misionit të presidentit për të fituar mandat të ri në Shtëpinë e Bardhë.
Burimet thanë se përkrahja e sindikatës për kandidatin republikan, Donald Trump, duket pak e mundshme, por përçarjet e thella të brendshme nënkuptojnë se sindikata mund të mos mbështesë asnjë kandidat. Kjo do të ishte hera e parë që merret masë e tillë që nga viti 1996, sipas raportimeve në media.
Që nga performanca e dobët në debatin presidencial përballë Trumpit më 27 qershor, disa ligjvënës dhe donatorë kanë kërkuar nga Bideni që të tërhiqet nga gara për shkak të shqetësimeve rreth aftësisë së tij për të fituar dhe për të shërbyer edhe për katër vjet. Disa aleatë thonë se ata besojnë që vrasja në tentativë ndaj Trumpit të shtunën mund t’i qetësojë ato thirrje, por demokratë të tjerë kanë dyshime.
“Nuk është marrë një vendim përfundimtar” – tha Kara Deniz, zëdhënëse e sindikatës “Teamsters”, duke shtuar se çfarëdo raportimi që sugjeron një rezultat është spekulues.
Kryetari i sindikatës, Sean O’Brien, foli të hënën në mbrëmje në Konventën Kombëtare Republikane, ku nuk shprehu përkrahje, por e falënderoi Trumpin pa rezervë që ia kishte hapur dyert e konventës. Ai e çmoi Trumpin si të fortë dhe e sulmoi Uashingtonin si të udhëhequr në një mënyrë që e dëmton shtresën punëtore.
O’Brien gjithashtu e vlerësoi lart të zgjedhurin e Trumpit si kandidat për postin e nënpresidentit, J.D. Vance, duke e cilësuar si njërin nga disa ligjvënësit që “vërtet brengosen për shtresën punëtore”.