Goditen tri anije tregtare në Gjirin Persik - NACIONALE

Goditen tri anije tregtare në Gjirin Persik

3 muaj më parë

nga NACIONALE

Tri anije tregtare u kapluan nga flaka të mërkurën në Gjirin Persik, përderisa Irani kreu sulme kundër vendeve fqinje që eksportojnë naftë, duke e rrezikuar transportin detar në Ngushticën e Hormuzit.

“Cilado anije, ngarkesa me naftë e së cilës ose vetë anija u përket Shteteve të Bashkuara, regjimit zionist [Izraelit] ose aleatëve të tyre armiqësor [ndaj Iranit] do të konsiderohen shënjestra legjitime” – tha ushtria iraniane, sipas një deklarate të publikuar në televizionin shtetëror, transmeton gazeta “The Times of Israel”.

Irani do të kalojë nga “goditjet reciproke” pas sulmeve në sulme të vazhdueshme ndaj kundërshtarëve dhe Shtetet e Bashkuara nuk do të jenë në gjendje që ta kontrollojnë çmimin e naftës, tha Ebrahim Zolfaqari, zëdhënës i komandës qendrore ushtarake të Teheranit. “Ne nuk do të lejojmë që madje as një litër naftë të arrijë në ShBA, te zionistët dhe te partnerët e tyre” – shtoi ai.

Anija transportuese me flamur tajlandez, “Mayuree Naree”, u shënjestrua dhe u dëmtua rreth 11 milje detare në veri të Omanit, thanë dy burime të sigurisë detare.

Roja Revolucionare e Iranit e mori përgjegjësinë për sulmin, sipas gazetës “The Guardian”.

Duke iu referuar këtij incidenti, Operacionet Tregtare Detare të Mbretërisë së Bashkuar (UKMTO) thanë më vonë se zjarri ishte shuar dhe se nuk ka ndikim në mjedis. Ekuipazhi i nevojshëm qëndroi në anije.

Më herët, anija transportuese me flamur japonez, “One Majesty”, pësoi dëme të vogla nga një predhë e panjohur 25 milje detare në verilindje të Ras Al Khaimah, në Emiratet e Bashkuara Arabe, thanë dy burime të sigurisë detare./Nacionale

Lajme të ngjashme