Gjysmëhëna e Kuqe Turke e nis dërgesën e saj më të madhe të ndihmave drejt Gazës - NACIONALE

Gjysmëhëna e Kuqe Turke e nis dërgesën e saj më të madhe të ndihmave drejt Gazës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjysmëhëna e Kuqe Turke (Kizilay) do ta dërgojë ngarkesën më të madhe të saj me ndihma deri më tani drejt Gazës përmes Egjiptit.

Një anije me rreth tre mijë tonë ushqim, ilaçe dhe pajisje do të niset të enjten nga porti egjiptian, Al-Arish, raporton agjencia “Reuters”.

Turqia, e cila e ka kritikuar ashpër Izraelin për ofensivën e tij ushtarake në Gaza dhe ka përkrahur masa për gjykimin e këtij shteti për gjenocid në Gjykatën Botërore, vazhdimisht ka bërë thirrje për armëpushim dhe ka paralajmëruar për pasoja, nëse nuk arrihet qetësia me fillimin e muajit të Ramazanit.

“Kjo ndihmë, e cila do të shpërndahet në Gaza me përkrahjen dhe bashkëpunimin e Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze, do ta mbajë gjallë shpresën e palestinezëve në prag të Ramazanit” – tha ambasadori turk në Kajro, Salih Mutlu Sen, në një shkrim të publikuar në rrjetin social X.

Drejtoresha e Gjysmëhënës së Kuqe Turke, Fatma Meric Yilmaz, i tha televizionit “CNN Turk” se anija do të bëjë dy udhëtime drejt Egjiptit për t’i shpërndarë ndihmat, kryesisht të grumbulluara përmes donacioneve.

Ndihmat pastaj do të transportohen përmes rreth 200 kamionëve deri në qytezën kufitare të Gazës, Rafah, ku më shumë se një milion njerëz janë strehuar, shtoi ajo. Në këto ndihma përfshihen mielli, produktet higjienike, vaktet e gatshme ushqimore, autoambulancat dhe kuzhinat e lëvizshme.

“Ne gati kemi ndihma të mjaftueshme për ta mbushur anijen e dytë, gjithashtu. Porsa të kthehet anija këtu, ne do ta mbushim atë përsëri dhe anija pastaj do të shkojë prapë rreth 26 marsit, afër mesit të Ramazanit” – tha zonja Yilmaz.

Turqia tashmë ka dërguar mijëra tonë ndihma në Egjipt për t’u shpërndarë më pas në Gaza.

Ndryshe nga aleatët e saj perëndimorë dhe disa vende të Gjirit Persik, Turqia, anëtare e NATO-s, nuk e cilëson Hamasin si organizatë terroriste.

Në Gaza, situata humanitare është më e rëndë në pjesën veriore të enklavës, ku nuk mund të arrijnë agjencitë e ndihmave dhe kamerat televizive. Pjesë të tëra të territorit janë pa qasje në ushqim.

Lajme të ngjashme