Gjykata Supreme ia lejon Trumpit rinisjen e dëbimit të emigrantëve në vende të treta
Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara ia ka hapur rrugën administratës së presidentit Donald Trump për ta rinisur dëbimin e emigrantëve në shtete që nuk janë atdhe i tyre.
Me gjashtë vota të gjykatësve “për” e vetëm tri “kundër”, Gjykata Supreme e rrëzoi urdhrin e një gjykate më të ulët me të cilin administratës i kërkohej që emigrantëve t’u jepej një “mundësi kuptimplote” për t’u treguar zyrtarëve se me çfarë rreziqesh mund të ballafaqohen, nëse dëbohen në një shtet të tretë.
Tre gjykatësit liberalë të Gjykatës Supreme e kundërshtuan mendimin e shumicës, duke thënë se ky verdikt “po e shpërblen paligjshmërinë”, raporton televizioni BBC.
Në rastin për të cilin mori vendim Gjykata Supreme përfshihen tetë emigrantë nga Mianmari, Sudani i Jugut, Kuba, Meksika, Laosi dhe Vietnami, të cilët ishin dëbuar në maj përmes një aeroplani për të cilin thuhet se ishte nisur drejt Sudanit të Jugut. Administrata e Trumpit ka thënë se këta persona ishin “më të këqijtë prej më të këqijve”.
Gjykatësi i qarkut në Boston, Brian Murphy, kishte vlerësuar se dëbimi i këtyre emigrantëve kishte shkelur një urdhër që ai kishte lëshuar në prill, në të cilin thuhej se ata duhej të kishin një mundësi për të argumentuar se mund të torturoheshin ose të vriteshin, nëse do të dërgoheshin në shtete të treta, edhe nëse apelet e tyre të tjera ligjore tashmë kishin dështuar.
Departamenti i Sigurisë së Atdheut tha se vendimi i Gjykatës Supreme është "një fitore për sigurinë e popullit amerikan". "Ndizni aeroplanët e dëbimit" – tha zëdhënësja e këtij departamenti, Tricia McLaughlin.
Administrata e Trumpit ka thënë se tetë emigrantët e dëbuar kishin kryer “krime të neveritshme” në Shtetet e Bashkuara, përfshirë vrasjen, zjarrvënien dhe plaçkitjen e armatosur.
Sidoqoftë, avokatët e emigrantëve thanë në një dokument të dorëzuar në Gjykatën Supreme se shumë prej të ndaluarve nuk kishin dënime penale.
Muajin e kaluar, Gjykata Supreme e lejoi Trumpin që t’i jepte fund Statusit të Mbrojtjes së Përkohshme për shtetasit venezuelas, duke prekur rreth 350 mijë emigrantë./Nacionale