Gjykata Supreme e Britanisë vendos kundër referendumit të ri të Skocisë për pavarësi
Gjykata Supreme e Mbretërisë së Bashkuar vendosi të mërkurën që Skocia nuk e ka pushtetin për të mbajtur një referendum të ri për pavarësi pa pëlqimin e qeverisë britanike. Ky gjykim është hap prapa për fushatën e qeverisë skoceze për t’u ndarë nga Mbretëria e Bashkuar.
Gjykata më e lartë britanike tha se parlamenti skocez “nuk e ka pushtetin për të nxjerrë ligje për një referendum për pavarësinë skoceze”, raporton agjencia “Associated Press”.
Kryetari i Gjykatës Supreme, Robert Reed, tha se pesë gjykatësit e kanë marrë këtë vendim në mënyrë të njëzëshme.
Qeveria gjysmautonome skoceze synon që të organizojë një referendum në tetorin e vitit të ardhshëm me pyetjen “a duhet Skocia të jetë shtet i pavarur?”
Qeveria konservatore e Mbretërisë së Bashkuar në Londër refuzon që ta miratojë mbajtjen e referendumit, duke thënë se kjo çështje është zgjidhur në referendumin e vitit 2014, kur 55 për qind e skocezëve që kishin marrë pjesë në votim, e kishin kundërshtuar pavarësimin e Skocisë, ndërsa 45 për qind e votuesve e kishin përkrahur atë.
Qeveria skoceze pro pavarësisë dëshiron që ta rishqyrtojë vendimin, duke argumentuar se largimi i Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian – gjë që ishte kundërshtuar nga shumica e votuesve skocezë – e ka ndryshuar në mënyrë radikale tablonë politike dhe ekonomike.
Ministrja e Parë e Skocisë, Nicola Sturgeon, argumenton se ajo e ka mandatin demokratik nga populli skocez për të mbajtur një referendum të ri, sepse në parlamentin skocez ka shumicë që e përkrah pavarësinë.
Gjatë seancave të Gjykatës Supreme muajin e kaluar, zyrtarja më e lartë ligjore e qeverisë skoceze, Dorothy Bain, tha se shumica e ligjvënësve skocezë janë zgjedhur me zotimet për mbajtjen e një referendumi të ri për pavarësi. Ajo gjithashtu tha se referendumi do të ishte më tepër këshillëdhënës sesa i detyrueshëm ligjërisht – edhe pse shumica përkrahëse do të krijonte një moment të fuqishëm për ndarjen e Skocisë nga Mbretëria e Bashkuar.
Në anën tjetër, avokati i qeverisë britanike, James Eadie, argumentoi se autoriteti për të mbajtur referendume i përket Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar në Londër, sepse “ai është me rëndësi kritike për Mbretërinë e Bashkuar si tërësi”, jo vetëm për Skocinë.
Sipas anketave, skocezët janë të ndarë në dy grupe pothuajse të barabarta sa i përket përkrahjes për pavarësinë dhe se shumica e votuesve nuk dëshirojnë referendum të ri për këtë çështje në të ardhmen e afërt.
Përkrahësit e pavarësisë së Skocisë kanë planifikuar që të protestojnë para Parlamentit të Skocisë në Edinburg dhe në vende të tjera më vonë të mërkurën.
Skocia dhe Anglia janë të bashkuara politikisht që nga viti i largët, 1707. Skocia i ka parlamentin dhe qeverinë e vet që nga viti 1999 dhe i harton vetë politikat për shëndetin publik, arsimin dhe disa çështje të tjera. Sidoqoftë, qeveria qendrore në Londër kontrollon disa fusha të tjera, si mbrojtja dhe politikat fiskale.