Gjykata Kushtetuese e Gjermanisë e rrëzon reformën zgjedhore të Scholzit - NACIONALE

Gjykata Kushtetuese e Gjermanisë e rrëzon reformën zgjedhore të Scholzit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjykata Kushtetuese Federale e Gjermanisë ka hedhur poshtë një ndryshim në sistemin zgjedhor që do t’i kishte dëmtuar partitë më të vogla në zgjedhje parlamentare, sipas një dokumenti të rrjedhur të vendimit.

Planet e koalicionit të kancelarit Olaf Scholz për të shfuqizuar një përjashtim nga pragu prej 5 për qind, të cilin partitë duhet ta arrijnë për të hyrë në Kuvend, janë pjesërisht antikushtetuese, vlerësuan gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese Federale, sipas dokumentit, raporton agjencia “Reuters”.

Gjykata nuk ishte e qasshme për koment. Vendimi pritet të publikohet më vonë të martën.

Reforma zgjedhore ishte sfiduar nga Unioni Kristian-socialist i Bavarisë dhe e Majta, e cila është kryesisht e fuqishme në lindje të Gjermanisë.

Sistemi zgjedhor i Gjermanisë, i hartuar në vitet pas Luftës së Dytë Botërore për ta parandaluar përçarjen parlamentare dhe fuqizimin e partive të vogla që e kishin ndihmuar ngritjen e nazistëve të Adolf Hitlerit në vitet e tridhjeta, i lejon vetëm partitë që fitojnë të paktën 5 për qind të votave që të marrin ulëse në Kuvend.

Koalicioni i Scholzit donte që ta shfuqizonte përjashtimin e vetëm të kësaj rregulle: partitë që dalin të parat, të paktën në tri distrikte që kanë vetëm nga një përfaqësues, sigurojnë ulëse në Kuvend në proporcion me numrin e votave në nivel vendi, edhe nëse ai është nën 5 për qind.

Shfuqizimi i këtij përjashtimi do ta dëmtonte pozicionin e barabartë të partive, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese Federale.

Partia që përfitoi së fundi nga kjo rregull ishte e Majta, trashëgimtare e Partisë Komuniste të Gjermanisë Lindore, që fitoi tri mandate të zgjedhura drejtpërdrejt dhe formoi një fraksion me dhjetëra ligjvënës, edhe pse kishte marrë vetëm 4,9 për qind të votave në nivel vendi./Nacionale

Lajme të ngjashme