Gjykata gjermane e pezullon përkohësisht cilësimin e inteligjencës për AfD-në si “ekstremiste”
Një gjykatë gjermane të enjten i dha masë të përkohshme partisë Alternativa për Gjermaninë (AfD), duke e urdhëruar agjencinë për inteligjencë të brendshme që të mos e klasifikojë këtë parti si “ekstremiste” për momentin, në pritje të një vendimi përfundimtar për rastin.
Partia që e ka apeluar klasifikimin e lëshuar vitin e kaluar nga agjencia e inteligjencës BfV tha se ky vendim është “një sukses domethënës për sundimin e ligjit dhe drejtësinë demokratike”, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Bashkudhëheqësi i AfD-së, Tino Chrupalla, i cili tha se klasifikimi nga BfV-ja ishte përdorur për ta diskredituar AfD-në para disa palë zgjedhjeve rajonale këtë vit, shtoi se partia do ta analizonte vendimin e lëshuar nga Gjykata Administrative e Këlnit.
“Ky është hapi i parë, ne kemi fituar këtu dhe ne duhet ta festojmë këtë si sukses tani për tani” – tha ai para gazetarëve, duke mohuar se AfD-ja është kundër rendit kushtetues demokratik të Gjermanisë.
Vendimi i përkohshëm është i vlefshëm derisa gjykata të vendosë për vetë rastin, por nuk është e qartë se kur do të ndodhë një gjë e tillë.
Në vendim thuhet se mbetet një “dyshim i fortë” për përpjekjet e zyrtarëve të AfD-së që të dalin kundër mbrojtjeve kushtetuese, përfshirë lirinë e religjionit. Megjithatë, gjykata tha se nuk ka dëshmi të mjaftueshme se një gjë e tillë është e vërtetë për partinë si tërësi.
Ministri i Punëve të Brendshme, Alexander Dobrindt, tha se ende nuk është arritur një vendim përfundimtar, por shtoi se vendimi i gjykatës zbuloi “siguri të mjaftueshme se përpjekje të drejtuara kundër rendit të lirë themelor demokratik janë duke u zhvilluar brenda AfD-së”.
Vendimi i BfV-së, e njohur formalisht si Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës, është mbështetur në të gjeturat e një raporti ekspertësh me 1.100 faqe, i cili vuri në pah shumë komente nga zyrtarë të partisë, të cilat agjencia i cilësoi si raciste dhe islamofobe./Nacionale