Gjuhet bombë tymi, evakuohet kryeministri i Japonisë
Kryeministri i Japonisë, Fumio Kishida, është evakuuar pa u lënduar nga një organizim publik pas hedhjes së një bombe tymi në drejtim të tij.
Një person u ndalua nga forcat e sigurisë në vendin e ngjarjes në Wakayama, ku Kishida pritej të mbante një fjalim, raportuan mediet lokale.
Një dëshmitar tha se pa një person duke hedhur diçka dhe më pas u shfaq tymi, ndërsa një tjetër tha se dëgjoi një kërcitje të madhe. Nuk është raportuar për persona të lënduar, raporton televizioni BBC.
Në një video shihen disa pjesëtarë të forcave të sigurisë duke kapur një person, i cili besohet se ishte i dyshuari. Policia ka thënë se ka bërë një arrestim, por deri më tani ka refuzuar që të komentojë më shumë.
Transmetuesi publik japonez, NHK, e citoi kryeministrin Kishida të ketë thënë se në tubim ndodhi një shpërthim i fortë. “Policia është duke i hetuar hollësitë, por do të doja të kërkoj falje për brengosjen e shumë njerëzve dhe shkaktimin e telasheve ndaj tyre”- tha ai.
Kishida porsa kishte nisur një fjalim, pasi ishte shëtitur nëpër një liman peshkimi për një tubim fushate, kur bomba u hodh.
Sipas raportimeve të medieve lokale, ai do ta vazhdojë agjendën e planifikuar për pjesën tjetër të ditës.