Gjobitet me 140 mijë dollarë restoranti me prift të rremë, donte t’i zbulonte “mëkatet” e stafit - NACIONALE

Gjobitet me 140 mijë dollarë restoranti me prift të rremë, donte t’i zbulonte “mëkatet” e stafit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Një gjykatë ka urdhëruar një restorant në Kaliforni të Shteteve të Bashkuara që të paguajë 140 mijë dollarë për paga dhe dëme pas angazhimit të një prifti të rremë për t’ua nxjerrë “rrëfimet” punëtorëve rreth shkeljeve të mundshme të tyre.

Gjatë procesit gjyqësor nga Departamenti i Punës në gjykatën federale, një punëtor i kompanisë “Che Garibaldi Inc.”, pronare e restorantit “Taqueria Garibaldi”, i cili ndodhet në Sacramento, tha se “prifti i nxiste punëtorët që t’i nxirrnin mëkatet dhe se i pyeste nëse kishin vjedhur nga punëdhënësi, nëse ishin vonuar në punë, nëse kishin bërë ndonjë gjë për ta dëmtuar punëdhënësin ose nëse kishin synime të këqija ndaj punëdhënësit”, tha Departamenti i Punës në një deklaratë për shtyp.

Autoritetet nisën një hetim duke u mbështetur në ankesat e punëtorit, ndërsa Dioqeza Katolike e Sacramentos raportoi se asnjë prift i lidhur me të nuk kishte të bënte asgjë me incidentin, raporton agjencia “Anadolu”.

Gjatë hetimit, u përcaktua se zinxhiri i restoranteve nuk i paguante punëtorët për punën shtesë pas orarit të rregullt, duke rezultuar në një gjobë prej 140 mijë dollarësh.

Departamenti i Punës e përshkroi këtë veprim si të paturpshëm, duke thënë se punëdhënësi synonte që t’ua mbyllte gojën punëtorëve, ta pengonte hetimin dhe ta parandalonte nxjerrjen e pagave të papaguara.

Lajme të ngjashme