GjNP-ja po i heton urgjentisht dyshimet për krime lufte në Sudan - NACIONALE

GjNP-ja po i heton urgjentisht dyshimet për krime lufte në Sudan

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale është duke i hetuar urgjentisht dyshimet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në qytetin Al-Fashir të Darfurit, që është bërë një front i ri mes ushtrisë sudaneze dhe Forcave të Reagimit të Shpejtë.

Në një deklaratë të lëshuar të martën, prokurori Karim Khan tha se GjNP-ja ka një hetim aktiv për krime të mundshme mizorie që po kryhen tash për tash në Darfur, raporton televizioni CNN.

“Unë jam tepër i shqetësuar rreth dyshimeve për krime të përhapura ndërkombëtare që po kryhen në Al-Fashir dhe në zonat përreth tij, përderisa po flasim” – tha prokurori Khan, duke shtuar se zyra e tij ishte duke i hetuar ato dyshime “me urgjencë”.

Hetuesit e tij kanë parë pretendime të besueshme të atyre që dukeshin si sulme të motivuara etnikisht kundër popullsisë civile, përdorim i përhapur i përdhunimeve dhe sulmeve kundër spitaleve, shtoi prokurori Khan.

Ai u bëri thirrje të gjithë personave që mund të kenë dëshmi, materiale në formë të videos ose zërit, t’i dorëzojnë ato në zyrën e prokurorit.

Al-Fashir, qytet që shtrihet në rajonin e Darfurit, banojnë më shumë se 1,8 milion njerëz, përfshirë edhe personat e zhvendosur. Ky vendbanim është fronti më i ri në luftën mes ushtrisë sudaneze dhe Forcave të Reagimit të Shpejtë, që filloi në prill të vitit të kaluar.

GjNP-ja mund të ndjekë penalisht të dyshuar për krime lufte, krime kundër njerëzimit, gjenocid dhe, në disa raste, edhe për krime të agresionit, nëse ato janë kryer në territorin e ndonjërit prej 124 shteteve anëtare ose nga shtetasit e tyre.

Në janar të këtij viti, prokurori i GjNP-së kishte thënë në Këshill të Sigurimit të OKB-së se ai besonte që krime lufte po kryheshin në Darfur nga trupat qeveritare dhe rivalët e tyre në El Geneina.

Lajme të ngjashme