Gjykata e Hagës do të lëshojë urdhër-arrestet e para të lidhura me luftën në Ukrainë
Prokurori në Gjykatën Ndërkombëtare Penale do të hapë zyrtarisht dy raste të krimeve të luftës dhe do të lëshojë urdhër-arreste për disa rusë që konsiderohen përgjegjës për rrëmbimin masiv të fëmijëve ukrainas dhe shënjestrimin e infrastrukturës civile ukrainase.
Agjencitë e lajmeve New York Times dhe Reuters, kanë raportuar se prokurori Karim Khan, do t'u kërkojë gjyqtarëve të procedurës paraprake të miratojnë urdhër-arrestet në bazë të provave të mbledhura deri më tani. Nëse miratimi do të ketë sukses, kjo do të jetë hera e parë që GJNP lëshon urdhër-arreste në lidhje me luftën në Ukrainë.
Megjithatë edhe nëse miratohen, nuk ka shumë gjasa që urdhër-arrestet të çojnë në gjyqe pasi GJNP-ja nuk do t'i gjykojë të pandehurit në mungesë dhe Rusia, e cila nuk është anëtare e GJNP-së, ka shumë pak gjasa t'i dorëzojë personat e kërkuar në gjykatën me seli në Hagë.
Raportet për urdhër-arrestet e afërta vijnë pak më shumë se një vit pasi prokurori Khan hapi një hetim mbi krimet e mundshme të luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin në Ukrainë.
Kujtojmë se Rusia është përfolur shumë për dërgimin e famijëve dhe adoleshentëve ukrainas në Rusi dhe dhënien e tyre te familjet ruse, por një gjë të tillë e ka bërë nën ‘maskën e shpëtimit humanitar’.
Një nga ndihmëset e Putinit, Maria Lvova-Belova, komisionerja presidenciale për të drejtat e fëmijëve, është cituar më parë të ketë thënë se 350 fëmijë ishin birësuar nga familjet ruse dhe se më shumë se 1000 ishin në pritje të birësimit.
