GjND-ja vendos të premten për kërkesën që të urdhërohet ndalja e operacionit izraelit në Rafah - NACIONALE

GjND-ja vendos të premten për kërkesën që të urdhërohet ndalja e operacionit izraelit në Rafah

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të vendosë të premten për kërkesën e Afrikës së Jugut që të urdhërohet ndalja e ofensivës izraelite në qytetin Rafah të Gazës, njoftoi gjykata të enjten.

Javën e kaluar, Afrika e Jugut kishte ka kërkuar nga GjND-ja, e njohur edhe si Gjykata Botërore, që ta urdhëronte ndaljen e ofensivës izraelite në Gaza, posaçërisht në qytetin Rafah, për ta siguruar mbijetesën e popullit palestinez, raporton agjencia “Reuters”.

Kërkesa për masë të tillë urgjente është pjesë e një rasti më të madh të paraqitur në GjND nga Afrika e Jugut, shtet që po e akuzon Izraelin për gjenocid.

Izraeli e ka dënuar pretendimin e Afrikës së Jugut se po e shkel Konventën e Gjenocidit, duke thënë se kjo akuzë është tallje me krimin e gjenocidit.

GjND-ja më parë e ka refuzuar kërkesën e Izraelit për ta hedhur poshtë rastin dhe e ka urdhëruar që t’i parandalojë aktet e gjenocidit kundër palestinezëve, por nuk e ka urdhëruar që t’i ndalë operacionet ushtarake.

Afrika e Jugut më pas kërkoi masa urgjente shtesë për ta mbrojtur qytetin Rafah, ku më shumë se një milion njerëz janë duke u strehuar. Shteti afrikan ka kërkuar gjithashtu nga gjykata ndërkombëtare që ta urdhërojë Izraelin për të lejuar qasje të papenguar në Gaza për zyrtarë të OKB-së, organizata që ofrojnë ndihma humanitare, gazetarë e hetues.

Të hënën, prokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, organ tjetër ndërkombëtar me seli gjithashtu në Hagë, tha se e kishte kërkuar lëshimin e urdhërarresteve kundër kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, ministrit të Mbrojtjes të Izraelit, Yoav Gallant, dhe tre udhëheqësve të Hamasit nën dyshimet për krime lufte.

Gjykata Ndërkombëtare Penale ndjek penalisht individë të dyshuar për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid, ndërsa Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë është organi më i lartë i OKB-së për mosmarrëveshje mes shteteve.

Lajme të ngjashme