GjND-ja vendos nëse Rusia ka shkelur traktate ndërkombëtare në Ukrainë
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të vendosë të mërkurën rreth pyetjes nëse Rusia ka shkelur një traktat kundër terrorizmit përmes financimit të separatistëve pro-rusë në Ukrainë, përfshirë ata që e kishin rrëzuar aeroplanin e kompanisë “Malaysia Airlines” më 2014.
Ukraina e akuzon Rusinë edhe për shkeljen e një traktati për të drejtat e njeriut përmes diskriminimit ndaj tatarëve dhe ukrainasve në Krime, gadishull që u aneksua nga Rusia në vitin 2014, raporton agjencia “Reuters”.
Ukraina kishte kërkuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë që ta shpallë Rusinë fajtore për shkeljen e obligimeve sipas dy traktateve të OKB-së, të cilat janë nënshkruar nga të dyja vendet, dhe ta urdhërojë që të paguajë dëmshpërblime.
Gjatë një seance të mbajtur në gjykatën me seli në Hagë në qershor të vitit të kaluar, Rusia i kishte hedhur poshtë akuzat e Ukrainës, duke i cilësuar trillime e “gënjeshtra flagrante”.
Gjykatësit që e përfaqësojnë Moskën në këtë rast i kanë mohuar abuzimet sistematike të të drejtave të njeriut në territorin ukrainas që e ka pushtuar Rusia dhe i kanë refuzuar akuzat se Rusia e ka shkelur traktatin e OKB-së kundër financimit të terrorizmit.
Ukraina e kishte dorëzuar rastin kundër Rusisë në gjykatën më të lartë të OKB-së në vitin 2017, disa vjet para se të niste pushtimi i plotë rus, më 24 shkurt 2022.
Në këtë rast gjyqësor, i cili ka marrë gati shtatë vjet për t’u shqyrtuar, Rusia akuzohet për dhurim të pajisjeve dhe financim të forcave pro-ruse, përfshirë rebelët që e kishin rrëzuar aeroplanin e kompanisë “Malaysia Airlines” në korrik të vitit 2014, duke lënë të vdekur të gjithë 298 njerëzit që ndodheshin në të.
Në nëntor të vitit 2022, një gjykatë holandeze dënoi në mungesë dy rusë dhe një ukrainas me burgim të përjetshëm për rolin e tyre në rrëzimin e aeroplanit.
Në Krime, Ukraina thotë se Rusia po mundohet që ta fshijë kulturën e tatarëve e ukrainasve etnikë.
Vendimet e GjND-së janë përfundimtare dhe pa të drejtë për apelim kundër tyre, por ky organ nuk ka rrugë për t’i zbatuar ato.
Sidoqoftë, një vendim në të cilin Rusia do të shpallej përgjegjëse për financimin e luftëtarëve pro-rusë në Ukrainë do të mund t’i fuqizonte rastet kundër Rusisë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe në Organizatën Ndërkombëtare të Aviacionit Civil.
Të premten, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të marrë vendim për një rast tjetër, në të cilin Ukraina e ka akuzuar Rusinë për zbatim të rremë të Konventës së Gjenocidit për ta justifikuar pushtimin e nisur më 24 shkurt 2022.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli