GjND-ja e urdhëron Izraelin që të lejojë më shumë ndihma ushqimore e mjekësore në Gaza
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka urdhëruar Izraelin që të mundësojë rrjedhje të papenguar të ndihmave në Gaza për ta parandaluar vdekjen nga uria.
Në një vendim që u mor njëzëri, GjND-ja tha se Izraeli duhet të veprojë “pa vonesë” për ta lejuar “furnizimin... e shërbimeve themelore e asistencës humanitare që janë urgjentisht të nevojshme”, raporton televizioni BBC.
Vendimi i gjykatës së Hagës vjen pas paralajmërimeve se vdekja nga uria mund ta godasë Gazën brenda javëve. Izraeli i ka quajtur “tërësisht të pabazuara” pretendimet se është duke i bllokuar ndihmat.
Duke dhënë kundërpërgjigje ndaj urdhrit të gjykatës ndërkombëtare, Ministria e Jashtme e Izraelit tha se po vazhdon që “të promovojë nisma të reja dhe t’i zgjerojë ato ekzistuese” për të lejuar rrjedhje të vazhdueshme të ndihmave në Gaza “përmes tokës, ajrit dhe detit”, duke punuar me OKB-në dhe me palë të tjera.
Më tutje, kjo ministri tha se Hamasi duhet të fajësohet për situatën në Gaza dhe për fillimin e luftës.
Në vendimin e saj, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë tha se Gaza “jo vetëm që po ballafaqohet me rrezikun e vdekjes nga uria”, por se “vdekja nga uria po fillon” dhe se, sipas vëzhguesve të OKB-së, 31 persona, përfshirë 27 fëmijë, tashmë kishin vdekur nga kequshqyerja dhe dehidrimi.
Më tej, në vendim vihen në pah komentet e komisionarit të lartë të OKB-së për të drejtat e njeriut, Volker Turk, i cili javën e kaluar tha se “situata e urisë dhe e vdekjes nga uria” është “rezultat i kufizimeve të gjera të Izraelit ndaj hyrjes dhe shpërndarjes së ndihmave humanitare dhe mallrave komerciale, zhvendosjes së shumicës së popullsisë si dhe shkatërrimit të infrastrukturës civile kritike”.
Vendimi i ri i GjND-së erdhi pasi Afrika e Jugut kërkoi nga gjykata që ta fuqizonte urdhrin e lëshuar për Izraelin në janar që t’i ndërmarrë të gjitha masat për t’i parandaluar aktet gjenocidale në Gaza.
Edhe pse urdhrat e lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë janë ligjërisht të detyrueshëm, gjykatës i mungon autoriteti për t’i futur ato në fuqi.
Javën e kaluar, në një raport të nisme ndërkombëtare që menaxhohet nga Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së dhe nga organizata të tjera, u paralajmërua se në Gaza po shpalosej një situatë “katastrofale”.
Në këtë raport thuhet se tërë popullsia prej 2,2 milionë banorësh në Gaza po “ballafaqohet me nivele të larta të pasigurisë akute ushqimore” dhe parashikohej se vdekja nga uria do ta godiste pjesën veriore të enklavës para fundit të majit.