GjND-ja e rrëzon kërkesën e Izraelit për ndërprerjen e hetimit rreth luftës në Gaza
Gjykatësit e apelit në Gjykatën Ndërkombëtare Penale (GjNP) të hënën e refuzuan njërën prej një vargu të ankesave ligjore që janë paraqitur nga Izraeli kundër hetimit të kësaj gjykate në lidhje me sjelljen e shtetit në luftën e Gazës.
Në apel, gjykatësit refuzuan që ta shfuqizonin vendimin e një gjykate më të ulët që hetimi i prokurorëve rreth krimeve të dyshuara nën juridiksionin e saj mund t’i përfshinte ngjarjet pas sulmit vdekjeprurës ndaj Izraelit nga Hamasi më 7 tetor 2023, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Ky vendim nënkupton se hetimi vazhdon dhe urdhërarrestet e lëshuara vitin e kaluar për kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant, mbeten në fuqi.
Izraeli e kundërshton juridiksionin e gjykatës me seli në Hagë dhe mohon se ka kryer krime në Gaza, ku ka zhvilluar një fushatë ushtarake, për të cilën thotë se e ka për qëllimin eliminimin e Hamasit pas sulmeve të 7 tetorit.
GjNP-ja fillimisht kishte lëshuar urdhërarrest edhe për udhëheqësin e Hamasit, Ibrahim al-Masri, nën dyshimet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, por më vonë e tërhoqi atë pas raporteve të besueshme për vdekjen e tij.
Një marrëveshje armëpushimi për konfliktin hyri në fuqi më 10 tetor, por lufta ka lënë të shkatërruar një pjesë të madhe të infrastrukturës së Gazës dhe kushtet për jetesë janë të rënda.
Vendimi i GjNP-së është i përqendruar vetëm në njërën nga ankesat ligjore të paraqitura nga Izraeli kundër hetimeve dhe urdhërarresteve. Nuk ka afat të caktuar për gjykatën se kur më së largu duhet të vendosë për ankesat e tjera ndaj juridiksionit të saj në këtë rast.