Gjermania thotë se Putini po luan veç për kohë në bisedimet e paqes në Ukrainë - NACIONALE

Gjermania thotë se Putini po luan veç për kohë në bisedimet e paqes në Ukrainë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, të martën e akuzoi presidentin rus, Vladimir Putin, se nuk është vërtet i interesuar për paqe në Ukrainë, duke thënë se kreu i Kremlinit vetëm po luan për të fituar kohë në bisedimet me Shtetet e Bashkuara.

Evropa duhet ta shtojë presionin ndaj Rusisë duke i vendosur më shumë sanksione, sidomos ndaj shitjeve të energjisë nga Moska, shtoi ministri gjerman.

“Kemi parë sulme masive (ruse) përsëri ditëve të fundit… Këto flasin më shumë se shërbimi me buzë (ndaj procesit të paqes) që e kemi dëgjuar për kohë aq të gjatë” – tha Pistoriusi para një takimi të ministrave të mbrojtjes dhe të punëve të jashtme të BE-së në Bruksel, raporton agjencia e lajmeve "Reuters".

“Putini qartazi po luan për kohë. Fatkeqësisht, duhet të themi se Putini nuk është vërtet i interesuar për paqe” – tha më tej ai.

Rusia dhe Ukraina pritet t’i fillojnë bisedimet pas bisedës telefonike të së hënës mes presidentit amerikan, Donald Trump, me homologun rus, Vladimir Putin, por ky i fundit tha se procesi do të marrë kohë.

Pasi Trumpi i njoftoi rreth telefonatës me Putinin, udhëheqësit evropianë u pajtuan për t’ia shtuar presionin Rusisë përmes sanksioneve të reja.

Para takimit të së martës, ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noël Barrot, e akuzoi Putinin për hipokrizi.

“Besoj se Vladimir Putini vazhdon që ta mbajë gjuhën e tij hipokrite, të gjithë kanë kuptuar se ai do të vazhdojë me luftën e tij koloniale deri në fund, nëse ne nuk e ndalim” – deklaroi kryediplomati francez.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, tha se Shtetet e Bashkuara duhet t’i bashkohen BE-së në rritjen e presionit ndaj Rusisë.

“Ne të gjithë u pajtuam dhe thamë… se nëse ata nuk pajtohen për një armëpushim të pakushtëzuar, siç u pajtua Ukraina para më shumë se 60 ditëve, do të ketë veprim të fortë” – tha kryediplomatja evropiane para takimit./Nacionale

Lajme të ngjashme