Gjermania premton pako të madhe të ndihmës ushtarake për Ukrainën
Gjermania të mërkurën u zotua për më shumë se dy miliardë dollarë ndihma ushtarake për Ukrainën, përderisa Kievi sinjalizoi se do t’i duheshin 120 miliardë dollarë vitin e ardhshëm për t’i bërë ballë luftës gati 4-vjeçare të Kremlinit.
Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, tha se vendi i tij do të blejë armë amerikane me vlerë të 500 milionë dollarëve për Ukrainën sipas një programi të ri për procesimin e shpejtë të pajisjeve ushtarake. Estonia, Finlanda, Lituania dhe Suedia thanë se edhe ato do të marrin pjesë në nismën për financim, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Pistoriusi tha se “pakoja adreson një numër të kërkesave urgjente të Ukrainës. Ajo [pakoja] ofron sisteme të mbrojtjes ajrore, pengues [raketorë] Patriot, sisteme radarësh dhe artileri precize me drejtim, raketa e municion”.
Më tej, ai tha se Gjermania do të ofrojë “dy sisteme të tjera të mbrojtjes ajrore Iris-T, përfshirë një numër të madh të raketave me drejtim, si dhe raketa të mbrojtjes ajrore që hidhen nga krahu”
Ukrainës do t’i ofrohen edhe armë kundër tankeve, pajisje të komunikimit dhe armë që mbahen në dorë.
Gjatë verës, aleanca transatlantike filloi që t’i bashkërendonte dërgesat e rregullta të pakove të mëdha të armëve për Ukrainën për ta ndihmuar në luftën kundër Rusisë.
Ministri i Mbrojtjes i Suedisë, Pal Johnson, tha se “Suedia qëndron e gatshme për të bërë më shumë”. Ai i mirëpriti diskutimet në mesin e vendeve nordike dhe baltike për të ofruar ndihmë në ndërtimin e një dërgese tjetër të armëve./Nacionale