Gjermania kusht të ri për shtetësi: ta pranoni të drejtën e Izraelit për të ekzistuar
Njerëzve që aplikojnë për shtetësi gjermane tani do t’u kërkohet që ta pohojnë të drejtën e Izraelit për të ekzistuar, sipas ndryshimeve në ligjin për shtetësi.
Legjislacioni, që hyri në fuqi të enjten, është pjesë e një ndryshimi më të madh për shtetësinë nga Berlini, përderisa Qeveria po ballafaqohet me rritjen e antisemitizmit, shtimit të përkrahjes popullore për të djathtën ekstreme dhe me një debat të ashpër rreth reagimit ndaj luftës së Izraelit në Gaza, raporton televizioni CNN.
Në provimin për natyralizim tani do të përfshihen disa pyetje të reja, sipas një deklarate të Ministrisë së Brendshme.
“Si kundërpërgjigje ndaj antisemitizmit në rritje në Gjermani, lista e pyetjeve në testin e natyralizimit është zgjatur. Pyetje të reja provimi janë shtuar në temat e antisemitizmit, të drejtës së shtetit të Izraelit për të ekzistuar dhe jetës hebraike në Gjermani” – tha kjo ministri.
Lufta në Gaza dhe mbështetja e fuqishme e Berlinit për Izraelin ka nxitur shumë diskutime në Gjermani. Pas sulmeve të 7 tetorit në Izrael, ligjvënësit gjermanë, përfshirë kancelarin Olaf Scholz, përsëritën se siguria e Izraelit është çështje e interesit kombëtar.
Megjithatë, zëra të tjerë në vend i kanë akuzuar autoritetet se kanë shkuar shumë larg, duke i shkelur të drejtat e pro-palestinezëve për liri të shprehjes dhe liri të grumbullimit.
Për ta bërë situatën edhe më të ndërlikuar, Gjermania e ka diasporën më të madhe palestineze në Evropë – rreth 300 mijë njerëz.
Ligjvënësja gjermane e të Gjelbërve, Lamya Kaddor, më parë i kishte thënë televizionit CNN se komunitetet myslimane në Gjermani ishin ndier të përjashtuara pas ngjarjeve në Lindje të Mesme.