Gjermania kërkon më shumë presion ndaj Rusisë para takimit Trump – Zelensky
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, të hënën bëri thirrje që t’i shtohet presioni Rusisë, përfshirë shtimin e ndihmave për Ukrainën, që Moska të shtyhet drejt koncesioneve për “paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”.
Kryediplomati gjerman foli në Tokio, kur presidenti amerikan, Donald Trump, po përgatitet që të presë udhëheqës evropianë, përfshirë presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe disa të tjerë si kancelari gjerman, Friedrich Merz. Tubimi vjen pas bisedimeve të Trumpit me homologun rus, Vladimir Putin, në Alaskë të premten, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Ndoshta nuk është ekzagjerim të thuhet se e tërë bota i ka sytë nga Uashingtoni” – tha ministri gjerman në një konferencë të përbashkët për gazetarë krahas homologut japonez, Takeshi Iwaya.
“Garancitë e palëkundura të sigurisë janë qendrore, sepse Ukraina duhet të jetë në gjendje që ta mbrojë veten në mënyrë efikase pas armëpushimit dhe marrëveshjes së paqes” – shtoi ai.
Përpos Merzit, presidenti francez, Emmanuel Macron, kryeministri britanik, Keir Starmer, dhe udhëheqës të tjerë evropianë u takuan të dielën për ta fuqizuar pozicionin e Zelenskyt para takimit të tij në Shtëpinë e Bardhë me homologun amerikan.
Ata e mirëpritën përmendjen e garancive të sigurisë për Ukrainën nga Shtetet e Bashkuara, por thanë se Kievi duhet të përfshihet në bisedimet për territore.