Gjermania i përditëson udhëzimet për udhëtime në ShBA pas arrestimit të disa gjermanëve - NACIONALE

Gjermania i përditëson udhëzimet për udhëtime në ShBA pas arrestimit të disa gjermanëve

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Gjermania e ka përditësuar udhëzuesin për udhëtime për në Shtetet e Bashkuara për të theksuar se posedimi i vizës ose i masës përjashtuese për hyrje në ShBA nuk është garanci për të hyrë në territorin e këtij vendi për shtetasit e saj, pasi disa gjermanë u ndaluan në kufi rishtazi, tha një zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Ministria e Jashtme e Gjermanisë e përditësoi uebfaqen e saj me udhëzuesin për udhëtim për në ShBA të martën për të qartësuar se as miratimi përmes sistemit ESTA të ShBA-së, as viza amerikane nuk garantojnë hyrje në Shtetet e Bashkuara në çdo rast, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Vendimi përfundimtar për atë nëse një person mund të hyjë në ShBA u përket autoriteteve kufitare të ShBA-së” – tha zëdhënësi gjerman të mërkurën.

Megjithatë, ai theksoi se ndryshimi në udhëzues nuk përbën paralajmërim rreth udhëtimeve.

Që nga rikthimi në pushtet më 20 janar, presidenti amerikan, Donald Trump, ka nënshkruar një numër të urdhrave ekzekutivë të lidhur me migracionin, të cilët janë të përqendruar në politikë më të ashpër kufitare, procedura më të rrepta të shqyrtimit të vizave dhe shtypje ndaj imigrantëve pa dokumente në ShBA.

Ministria e Jashtme e Gjermanisë tha më herët këtë javë se ishte duke vëzhguar nëse ka pasur një ndryshim në politikën amerikane të migracionit, pasi tre shtetas gjermanë ishin ndaluar në tokën amerikane.

Dy prej tri rasteve janë zgjidhur dhe shtetasit e prekur janë kthyer në Gjermani, ndërsa rasti tjetër ishte duke u trajtuar me ndihmën e konsullatës gjermane në Boston.

Sipas transmetuesit publik me seli në Boston, WGBH, një burrë gjerman me leje banimi të kartës së gjelbër ishte ndaluar nga autoritetet e migracionit këtë muaj në aeroportin e Bostonit dhe po mbahej në një objekt për persona të ndaluar.

Ministria e Jashtme e Gjermanisë nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për informata rreth vendndodhjes së tanishme të këtij personi./Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme